Kreu i qeverisë gjermane, Friedrich Merz, dukej i befasuar nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Gjatë këtyre sulmeve u vranë figura të rëndësishme nga udhëheqja iraniane, mes tyre edhe lideri fetar Ajatollah Ali Khamenei, por edhe shumë civilë.
Që këto sulme do të mbuloheshin nga e drejta ndërkombëtare, këtë nuk e ka pretenduar që atëherë asnjë jurist i njohur, as edhe ndonjë anëtar i qeverisë federale në Gjermani. Megjithatë, fjala "shkelje e së drejtës ndërkombëtare” nuk i ka dalë ende nga goja Friedrich Merzit. Në vend të kësaj, ai e përshkroi qeverinë iraniane si një "regjim terrorist” dhe tha: "Klasifikimet nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare do të kenë pak ndikim.” SHBA-ja dhe Izraeli, sipas tij, kishin "arsye të mira” për sulmet.
"Unë besoj se (në fillim) (te Merz) mbizotëronte bindja se izraelitët dhe amerikanët në Iran po bëjnë gjëra që evropianët nuk janë në gjendje t'i bëjnë, por që nga ana tjetër ndajnë të njëjtat qëllime politike”, thotë politologu Johannes Varwick nga Universiteti i Halles për DW. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka dashur t'i kritikojë amerikanët "që në njëfarë mënyre po i zbatojnë qëllimet e përbashkëta me metoda që vetë nuk do t'i preferonte”.
Që atëherë, fjalët mirëkuptuese të Merzit për sulmet ndaj Iranit shkaktuan debat. Kritikë, si për shembull nga "European Center for Constitutional and Human Rights”, e akuzuan atë për një "kapitullim përballë politikës së fuqisë”, ndërsa presidenti federal Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi që e drejta ndërkombëtare të mos "lihet mënjanë”.
Henning Hoff nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme e përshkroi për DW lëkundjen e Merzit – herë e konsideron shumë të rëndësishme të drejtën ndërkombëtare, si në luftën në Ukrainë, e herë më pak të rëndësishme, si në luftën në Iran – kështu: "Në fakt, kancelari duket se ka një raport situativ ndaj së drejtës ndërkombëtare.”
Miqësi përmes afrimit ndaj Trumpit?
Kritikat u shtuan pas udhëtimit të Merzit në Uashington tek Donald Trump, vetëm pak ditë pas fillimit të sulmeve. Me një lloj afrimi, Merz dukej se po përpiqej të fitonte simpatinë e Trumpit – gjë që edhe ia doli përkohësisht.
Në Gjermani shpërtheu një debat i ashpër. Politikani i CDU-së për politikën e jashtme, Norbert Röttgen, tha në Bundestag se bëhej fjalë për një balancim të vështirë: "Cila është e keqja më e vogël?” Lufta, pa asnjë dyshim, është një e keqe. Por: "Regjimi i mullave është e keqja më e madhe për rajonin, për njerëzit në Iran dhe përtej.” Ndërkohë, Lea Reisner nga partia e majtë kritikoi se kancelari "e kishte lejuar veten të përdorej si figurant i Trumpit”. Eksperti Johannes Varwick arrin në përfundimin: "Merz në këto çështje – nuk mund të thuhet më qartë – kishte një busull të gabuar.”
Ndërkohë, Gjermania filloi t'i ndiejë shpejt pasojat ekonomike të luftës në Iran: për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, çmimet e naftës dhe gazit u rritën ndjeshëm. Kjo e ngadalësoi edhe më shumë ekonominë gjermane, e cila ishte edhe më parë e dobët.
Në politikën e brendshme, kjo ishte gjëja e fundit që i duhej Merzit. Ndërsa vlerësimet për punën e qeverisë dhe veçanërisht për Merzin ranë ndjeshëm, mbështetja për partinë pjesërisht ekstremiste të djathtë AfD u rrit. Ndërkohë, sipas sondazheve, AfD-ja ka kaluar tashmë CDU/CSU-në e Merzit.
Merz e sheh SHBA-në të poshtëruar nga Irani
Pastaj, në fund të prillit, erdhi kthesa e papritur – të paktën kështu dukej. Gjatë një diskutimi me nxënës, Merz tha se SHBA-të në luftën me Iranin nuk kishin "një strategji vërtet bindëse”. Udhëheqja iraniane, sipas tij, po e "poshtëronte” SHBA-në.
Çfarë e shkaktoi kthesën? "Kam përshtypjen,” thotë Varwick, "se retorika krejtësisht e tepruar që ka përdorur Donald Trump ka trembur dhe madje ka zmbrapsur shumë njerëz edhe nga ata që kishin vullnet të mirë: u fol madje për zhdukjen e Iranit.”
Trumpi, i cili në Uashington ishte shfaqur ende në harmoni të plotë me kancelarin, u tërbua pas kritikave të Merzit. Në platformën e tij Truth Social ai e akuzoi se nuk kishte asnjë ide për çfarë po fliste. Nuk është çudi, shkroi ai, "që Gjermania po ecën kaq keq ekonomikisht dhe në përgjithësi”.
Zemërimi i presidentit amerikan
Nga Gjermania pritet të tërhiqen tani 5000 ushtarë amerikanë, ndoshta edhe më shumë. Vendosja e planifikuar e raketave lundruese Tomahawk si mbrojtje kundër Rusisë u anulua. Edhe tarifat doganore për makinat nga BE-ja pritet të rriten edhe një herë.
Merz mund ta ketë zemëruar presidentin, por popullsia gjermane në pjesën më të madhe i jep të drejtë kancelarit me qëndrimin e tij të ri, kritik. Sipas një sondazhi të "ARD-Deutschlandtrend”, pak pas fillimit të luftës, 58 për qind e të anketuarve e konsideronin të pajustifikuar ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit. Besimi tashmë i ulët i gjermanëve ndaj SHBA-së nën Trumpin ka rënë edhe më tej në mënyrë të ndjeshme. Vetëm 15 për qind i konsiderojnë SHBA-të si një partner të besueshëm. Që atëherë, këto shifra nuk kanë ndryshuar shumë.
Gjest i vullnetit të mirë - po vetëm nga pala gjermane
Ndërkohë, po bëhen përpjekje për kufizimin e dëmeve, por për momentin vetëm nga pala gjermane. Edhe pse Merz i ka qëndruar vlerësimit të tij për luftën në Iran, ai premtoi se Gjermania do të marrë pjesë në një mision detar në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftimeve. Një anije gjermane për çminim tashmë është në gatishmëri. Nëse ky mision do të realizohet, mbetet e hapur. Por mbi të gjitha, duket se ishte e rëndësishme gjesti ndaj Trumpit.
Megjithatë, marrëdhënia transatlantike nuk duket aspak e riparuar. Në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Suedi në fund të majit, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se "zhgënjimi” i Trumpit për sjelljen e aleatëve të NATO-s në luftën në Iran duhet të trajtohet "në nivelin e krerëve të shteteve dhe qeverive”. Samiti i NATO-s në Ankara në korrik "ndoshta do të jetë një nga më të rëndësishmit” në historinë e aleancës.
Si përfundim nga 100 ditët e luftës në Iran për Gjermaninë, politologu Johannes Varwick formulon: "Gjermania dhe Evropa duhet të përcaktojnë interesat e tyre dhe të mos rrinë si një lepur i ngrirë përballë gjarprit, ndërkohë që gjarpri ndodhet në Uashington dhe nesër lëviz në një drejtim, e pasnesër në një tjetër.”
Më shumë pavarësi nga SHBA-të nën Trumpin – kjo ishte edhe ajo që Friedrich Merz kërkonte që në fillim të vitit 2025, kur ende nuk ishte kancelar. Pas një faze ku shmangu kritikën publike, tani ai duket se është kthyer sërish në pikën fillestare./ DW/
© SYRI.net