Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se ishte shumë herët për të thënë nëse droni që u rrëzua në një bllok apartamentesh në Rumani ishte rus, dhe sugjeroi se mund të ketë qenë një dron ukrainas.
NATO akuzoi Moskën të premten për sjellje të pamatur dhe u zotua të “mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”, pasi Rumania tha se një dron rus ishte rrëzuar në një bllok apartamentesh në shtetin anëtar të aleancës gjatë një sulmi ndaj Ukrainës fqinje.
“Kush në Rumani thotë se ky është një dron rus?” pyeti Putin gazetarët në një konferencë për shtyp në Astana të Kazakistanit.
Ai tha se sapo kishte dëgjuar për incidentin pasi kishte qenë në bisedime gjithë ditën.
“Askush nuk mund të thotë se cila është origjina e këtij apo atij droni, derisa të jetë kryer një ekzaminim”, tha ai.
Putin tha se dronët ukrainas ishin parë më parë në Finlandë, Poloni dhe në vendet baltike.
"Reagimi i parë ishte pikërisht i njëjtë me atë që është tani në Rumani: Rusët po vijnë", tha Putin. "Pastaj, pas një kohe të shkurtër, doli që nuk kishte të bënte fare me dronët rusë."
Putini gjithashtu kundërshtoi komentet e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila akuzoi Rusinë se kishte kaluar një vijë tjetër me incidentin, duke thënë se ajo nuk i kishte shqyrtuar vetë mbetjet e dronit.
Putini sugjeroi që Rumania të ndajë informacion rreth asaj që ndodhi dhe potencialisht fragmente të droneve, në mënyrë që Moska të mund të kryejë hetimin e vet./ Reuters.
© SYRI.net