Zëdhënësi i Pentagonit e paraqet reduktimin si një mundësi që aleatët të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Europës.
Pentagoni ka informuar së fundmi aleatët evropianë se planifikon të reduktojë disa kapacitete ushtarake amerikane të disponueshme për NATO-n gjatë situatave të krizës, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’i kaluar Europës më shumë nga barra e mbrojtjes konvencionale të aleancës.
Administrata Trump planifikon të ulë disa prej këtyre kapaciteteve me rreth një të tretën deri në gjysmën e tyre, konfirmuan zyrtarë për Fox News Digital. Në mesin e tyre përfshihen bombardues strategjikë, avionë luftarakë dhe disa mjete detare.
Zyrtari i Pentagonit, Alexander Velez-Green, i informoi për ndryshimet e pritshme gjatë mbledhjes së drejtorëve të politikave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel të premten, sipas dy zyrtarëve të njohur me çështjen.
Pentagoni refuzoi të konfirmojë detajet e ndryshimeve, por zëdhënësi kryesor Sean Parnell e pranoi këtë ndryshim në një deklaratë për Fox News Digital, duke e paraqitur atë si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për t’u bërë presion aleatëve që të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e Europës.
“Departamenti i Mbrojtjes njoftoi ndryshime në kontributet e SHBA-së ndaj Modelit të Forcës së NATO-s gjatë takimit të Drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes në Bruksel”, tha ai. “Këto ndryshime përfaqësojnë një mundësi që aleatët të tregojnë se e kanë dëgjuar thirrjen e presidentit Trump për të rritur angazhimin dhe për të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Europës.”
“Shpenzimi më i madh për mbrojtjen është një gjë – dhe aleatët tanë duhet ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me zotimet e Samitit të Hagës. Megjithatë, është jetike që aleatët tanë në NATO ta përqendrojnë rritjen e shpenzimeve ushtarake te kapacitetet luftarake më të nevojshme për mbrojtjen e Europës. Njoftimi i Departamentit të Mbrojtjes u jep aleatëve mundësinë të bëjnë pikërisht këtë”, shtoi ai.
Ky zhvillim vjen përpara samitit të liderëve të NATO-s në Ankara të Turqisë në korrik, ku presidenti Donald Trump pritet të shtojë presionin ndaj aleatëve që të mbajnë një peshë më të madhe të mbrojtjes së Europës, ndërsa Uashingtoni zhvendos fokusin ushtarak drejt rajonit Indo-Paqësor.
Ndërsa zyrtarët europianë kanë shmangur kryesisht kritikat publike ndaj këtyre ndryshimeve, disa prej tyre i kanë shprehur Fox News Digital shqetësimet për ritmin dhe mungesën e qartësisë së planeve të administratës amerikane për praninë ushtarake në Europë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të qetësonte aleatët ditët e fundit, duke deklaruar se çdo ndryshim do të ndodhë “me kalimin e kohës, në mënyrë të strukturuar” dhe duke këmbëngulur se “SHBA do të mbetet e angazhuar në Europë”.
Edhe ministrat e Jashtëm të NATO-s, të mbledhur në Helsingborg të Suedisë, u përballën me pasiguri lidhur me njoftimet e fundit për trupat amerikane në Europë.
Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, e përshkroi situatën si “vërtet konfuze”, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se “brenda aleancës kuptohet mirë se prania e trupave amerikane në Europë do të pësojë ndryshime”.
Zyrtarë rajonalë i thanë Fox News Digital se ende po kërkojnë sqarime nëse lëvizjet e ardhshme të trupave amerikane në Poloni do të zgjerojnë praninë aktuale të SHBA-së, do të zëvendësojnë rotacionet e pezulluara apo do të përfshijnë zhvendosjen e forcave nga vende të tjera të Europës.
Zyrtarët e mbrojtjes e përshkruajnë gjithnjë e më shumë këtë ndryshim si pjesë të një ristrukturimi të NATO-s pas luftës në Ukrainë, i fokusuar te mbrojtja territoriale, mobilizimi i shpejtë dhe ndarja më e madhe e barrës së mbrojtjes nga Europa, ndërsa SHBA po ridrejton më shumë burime ushtarake drejt Azisë.
Aktualisht, SHBA mban praninë më të madhe ushtarake në Europë në Gjermani, ku janë të stacionuar rreth 36 mijë trupa amerikane, si edhe afërsisht 12 mijë trupa në Itali, 10 mijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth 10 mijë në Poloni.
Pentagoni në vitin 2025 tërhoqi një brigadë të blinduar luftarake nga Rumania, pas një dislokimi të përkohshëm të lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ribalancuar praninë ushtarake amerikane në Europë.
Së fundmi, administrata Trump njoftoi plane për të tërhequr rreth 5 mijë trupa amerikane nga Gjermania gjatë vitit të ardhshëm, si pjesë e rishikimit të vazhdueshëm të pranisë së SHBA-së në Europë, duke ngritur pyetje të reja mes aleatëve për shkallën e ardhshme të pranisë ushtarake amerikane në kontinent.
© SYRI.net