Nga Alba Kepi
Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër pastrimit të parave është duke u zhvilluar nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Palermos dhe Guardia di Finanza italiane, në kuadër të një hetimi të madh ndaj një rrjeti të dyshuar për riciklim të kapitaleve që burojnë nga trafiku i drogës dhe aktivitetet mafioze të lidhura me “Cosa Nostra”.
Sipas autoriteteve italiane, me urdhër të Gjykatës së Palermos janë ekzekutuar masa sigurie me burg tre persona, ndërsa janë sekuestruar pasuri, kompani dhe asete financiare me vlerë mbi 200 milionë euro.
Operacioni po zhvillohet njëkohësisht në Itali, Andorra, Gjibraltar, Ishujt Kajman, Luksemburg, Zvicër, Liban, Principatën e Monakos dhe Spanjë, konkretisht në qytetet Malaga, Marbella, Benahavis dhe Puerto Banús. Veprimet po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjyqësore dhe policore të vendeve të përfshira, përmes mekanizmave të bashkëpunimit evropian dhe kërkesave ndërkombëtare hetimore.
Në kuadër të operacionit janë kryer gjithashtu kontrolle të shumta në Malaga të Spanjës dhe në Campobello di Mazara të provincës Trapani në Itali, në të gjitha pronat dhe ambientet që rezultojnë në dispozicion të të hetuarve.
Më shumë se 150 efektivë të Guardia di Finanza janë angazhuar në operacion, një pjesë e tyre edhe jashtë Italisë, në koordinim me policitë e shteteve partnere. Autoritetet kanë përdorur mjete ajrore, dronë dhe pajisje “thermo scanner” për zbulimin e hapësirave të fshehta, si dhe ekipe të specializuara për analizën informatike dhe identifikimin e portofolëve dixhitalë dhe kriptomonedhave.
Hetimet janë zhvilluar nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare e Palermos dhe kanë bërë të mundur rindërtimin e një pasurie gjigante të krijuar përmes riinvestimit të të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i drogës, aktivitet që sipas hetuesve ka nisur që në vitet ’80 nën mbrojtjen e mafias së Trapani-t.
Gjithçka nisi pas një sinjalizimi nga autoritetet e Andorrës lidhur me një grua nga Campobello di Mazara, e cila dispononte pasuri të konsiderueshme financiare në atë shtet. Hetimet zbuluan se ajo kishte qenë e martuar me një trafikant droge me profil të lartë kriminal, i dënuar disa herë dhe i lidhur ngushtë me “Cosa Nostra”.
Deklaratat e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë rezultuan vendimtare për hetimin. Sipas tyre, një pjesë e fitimeve nga trafiku i drogës i dedikohej sistematikisht familjes mafioze të Castelvetranos dhe drejtuesit të saj, Matteo Messina Denaro.
Nga hetimet lindi dyshimi se fondet e depozituara në Andorrë kishin origjinë kriminale dhe lidheshin drejtpërdrejt me trafikun e narkotikëve. Për këtë arsye, autoritetet zgjeruan hetimet në disa shtete evropiane dhe jashtë Evropës.
Guardia di Finanza aktivizoi gjithashtu rrjetin e ekspertëve ekonomikë dhe financiarë jashtë Italisë, duke bashkëpunuar me Spanjën, Luksemburgun, Monakon dhe Libanin. Në Spanjë, falë bashkëpunimit me Policinë Kombëtare spanjolle, u realizuan edhe përgjime telefonike dhe teknike në kuadër të një Urdhri Evropian Hetimor.
Sipas hetuesve, gjatë më shumë se 40 viteve, fitimet nga trafiku i drogës janë futur gradualisht në ekonominë legale përmes instrumenteve financiare, llogarive bankare, aksioneve, kompanive “holding” dhe strukturave të fshehta financiare të vendosura kryesisht në Spanjë, Luksemburg, Monako, Ishujt Kajman, Liban dhe Gjibraltar.
Autoritetet identifikuan tetë kompani të huaja: pesë në Spanjë, dy në Gjibraltar dhe një në Ishujt Kajman, të përdorura kryesisht për investime në pasuri të paluajtshme dhe menaxhim kapitalesh.
Gjithashtu u zbuluan llogari bankare dhe portofolë investimesh me vlerë rreth 12.5 milionë euro në juridiksione të ndryshme financiare. Hetuesit evidentuan edhe aksione me vlerë shumë të lartë në një bankë libaneze, si dhe investime në metale të çmuara, përfshirë mbi 12 kilogramë ar.
Në total janë sekuestruar 22 prona luksoze, shumë prej tyre resorte turistike me vlerë të lartë, të vendosura në zonat ekskluzive të Costa del Sol në Spanjë, mes Marbella, Benahavis dhe Puerto Banús.
Hetimet tregojnë se menaxhimi i kësaj pasurie bëhej nën mbikëqyrjen e trafikantit të drogës, ndërsa bashkëshortja dhe djali i tij – të dy tashmë nën masë arresti – kishin rol kyç në administrimin e kapitaleve.
I gjithë pasuri e identifikuar është vënë nën sekuestro me urdhër të autoriteteve gjyqësore të Palermos.
Guardia di Finanza deklaroi se operacioni dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të autoriteteve italiane në luftën kundër pastrimit të parave dhe goditjen e pasurive të organizatave kriminale mafioze.
Sekuestrohen
Resorte luksoze në Marbella dhe Costa del Sol
Një pjesë e madhe e pasurisë së sekuestruar ndodhej në zonat superluksoze të Marbella, Benahavis dhe Puerto Banús.
22 prona luksoze;
vila dhe resorte turistike miliona euro;
kompani ndërtimi dhe investimi;
llogari bankare sekrete;
mbi 12 kilogramë ar;
portofolë investimesh me vlerë mbi 12.5 milionë euro.
© SYRI.net