Të paktën tre persona kanë humbur jetën pasi një automjet u përplas me një elefant në një park kombëtar në Ugandë, kanë bërë të ditur autoritetet.
Policia tha se edhe katër persona të tjerë janë plagosur në incidentin që ndodhi të dielën në mbrëmje ( 24 maj) në Parkun Kombëtar në veriperëndim të vendit.
Automjeti po transportonte shtatë zyrtarë të Autoritetit të Taksave të Ugandës (URA), informoi policia, shkruan BBC.
Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Ugandë, ndërsa incidentet që përfshijnë përplasjet mes njerëzve dhe kafshëve të egra po shtohen, për shkak të zgjerimit të vendbanimeve pranë zonave të mbrojtura natyrore.
Makina po udhëtonte nga qyteti Arua drejt kryeqytetit Kampala kur ndodhi përplasja, tha Policia e Ugandës në platformën X.
Të plagosurit u dërguan fillimisht në një spital lokal dhe më pas në Kampala për trajtim. Autoritetet nuk dhanë informacion për gjendjen e elefantit.
Autoriteti i Jetës së Egër të Ugandës u bëri thirrje shoferëve të tregohen të kujdesshëm ndaj kafshëve që kalojnë rrugët.
“Shoferët që udhëtojnë nëpër zonat e mbrojtura këshillohen të ngasin me kujdes, pasi kafshët e egra shpesh kalojnë rrugët,” thuhet në njoftim.
© SYRI.net