Shtetet e Bashkuara dhe Irani ndërmorën sulme të reja në Gjirin Persik të hënën, duke përshkallëzuar përplasjen për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe duke vënë në pikëpyetje një armëpushim tashmë të brishtë.
Sipas raportimeve, breshëri raketash dhe sulmesh me dronë u regjistruan në disa zona të Gjirit, në një moment kur administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të sigurojë kalimin e tankerëve dhe anijeve tregtare të bllokuara në këtë korridor jetik për tregtinë globale të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, është praktikisht e bllokuar që prej shkurtit, kur shpërthyen armiqësitë mes SHBA-së, të mbështetur nga Izraeli, dhe Iranit. Konflikti ka shkaktuar mijëra viktima në të gjithë rajonin.
Gjatë orëve të para të së hënës, disa anije tregtare raportuan shpërthime dhe zjarre në det. Zyrtarët amerikanë deklaruan se forcat e tyre kishin shkatërruar gjashtë mjete të vogla ushtarake iraniane. Ndërkohë, një port nafte në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet edhe një bazë e madhe ushtarake amerikane, u godit nga raketa iraniane dhe u përfshi nga flakët.
Presidenti Trump njoftoi në rrjetet sociale nisjen e një operacioni të ri, të cilin e quajti “Projekti Liri”, me synim garantimin e kalimit të sigurt për anijet në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ai dha pak detaje mbi këtë iniciativë, ndërsa vendimi vjen në një moment të debatueshëm ligjor, pasi afati për marrjen e autorizimit nga Kongresi për ndërhyrjen ushtarake kishte kaluar.
Administrata amerikane pretendon se konflikti ishte “përfunduar”, por ky qëndrim është kundërshtuar nga disa ligjvënës në Uashington.
Nga ana tjetër, zhvillimet e fundit nuk duket se kanë përmirësuar situatën në terren. Trafiku i anijeve tregtare mbetet i ulët, ndërsa Irani ka paralajmëruar reagim të ashpër ndaj çdo përshkallëzimi, duke kërcënuar me sulme ndaj vendeve fqinje që strehojnë trupa amerikane.
Kompanitë kryesore të transportit detar janë shprehur se nuk do të rrezikojnë kalimin nëpër ngushticë pa një marrëveshje të qartë për ndërprerjen e armiqësive, duke shtuar pasiguritë në tregjet globale të energjisë.
© SYRI.net