Zvicra vendos sot: Kufi 10 milionë banorë apo vazhdim i politikës aktuale?

Zvicra vendos sot: Kufi 10 milionë banorë apo vazhdim i politikës aktuale?

08:05, 14/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Propozimi kërkon që popullsia e përhershme e vendit të mos e kalojë shifrën prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050.

Më 14 qershor, qytetarët e Zvicrës do të votojnë për iniciativën popullore “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë”, e njohur edhe si Iniciativa për Qëndrueshmëri. Propozimi kërkon që popullsia e përhershme e vendit të mos e kalojë shifrën prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa është paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila argumenton se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi tregun e banesave, infrastrukturën, trafikun dhe shërbimet publike. Nëse popullsia arrin në 9.5 milionë banorë, autoritetet do të detyrohen të marrin masa kufizuese, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar.

Kundërshtarët e iniciativës, përfshirë qeverinë federale, partitë kryesore, organizatat ekonomike dhe bizneset e mëdha, paralajmërojnë se masa mund të dëmtojë ekonominë zvicerane dhe të krijojë mungesë të fuqisë punëtore. Ata theksojnë se shumë sektorë, si shëndetësia, teknologjia dhe industria farmaceutike, varen nga punëtorët e huaj.

Një nga aspektet më të debatueshme është fakti se, nëse popullsia do të kalonte pragun prej 10 milionë banorësh, Zvicra mund të detyrohej të rishikonte ose të anulonte marrëveshjen e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian, gjë që mund të ndikonte në marrëdhëniet ekonomike dhe shkencore me Evropën.

Sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të lehtë për kampin kundër iniciativës, megjithëse gara mbetet e ngushtë dhe një numër i konsiderueshëm votuesish janë ende të pavendosur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco