Autoritetet në Bolivia kanë arrestuar pilotin dhe bashkëpilotin e një avioni transportues ushtarak që u rrëzua në muajin shkurt, duke shkaktuar vdekjen e 22 personave. Lajmi është bërë i ditur nga mediat vendase, duke cituar prokurorin e çështjes.
Avioni i tipit C-130 Hercules transportonte drejt kryeqytetit La Paz një sasi të madhe kartëmonedhash të emetuara nga banka qendrore e vendit. Sipas të dhënave, bëhej fjalë për rreth 60 milionë dollarë.
Pas uljes në aeroportin e El Alto, rreth 15 kilometra nga kryeqyteti, avioni doli nga pista dhe përfundoi jashtë kontrollit, duke u përplasur me automjete në një rrugë të qytetit. Si pasojë e aksidentit, kartëmonedhat u shpërndanë në zonë, ndërsa qindra banorë u dyndën për t’i mbledhur.
Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Prokurori Fabio Maldonado deklaroi për televizionin Unitel se ndaj dy pilotëve është lëshuar urdhër-arresti. Ata janë marrë në pyetje, janë akuzuar për vrasje nga pakujdesia në rrethana të shumta dhe janë vendosur në paraburgim.
Hetimet e kryera nga forcat e armatosura kanë zbuluar se ekuipazhi nuk ishte informuar në kohë nga kontrolli i trafikut ajror për kushtet e vështira atmosferike në destinacion. Pilotët tentuan të ndryshonin kursin, por nuk arritën të shmangnin tragjedinë.
© SYRI.net