Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë u përpoq të minimizojë ndikimin e vendimit të Uashingtonit për të tërhequr 5,000 trupa nga vendi, duke e cilësuar këtë hap si të pritshëm dhe duke e përdorur për të theksuar nevojën që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
“Është pritur që SHBA mund të tërheqë trupa nga Evropa, përfshirë Gjermaninë,” tha Boris Pistorius të shtunën, 2 maj, duke shtuar se “nëse duam të mbetemi transatlantikë, duhet të forcojmë shtyllën evropiane brenda NATO-s”.
NATO deklaroi se po “bashkëpunon me SHBA-në për të kuptuar detajet” e vendimit të Pentagonit për të tërhequr trupat.
Lëvizja e administratës së Donald Trump “nënvizon nevojën që Evropa të investojë më shumë në mbrojtje”, tha zëdhënësja e NATO-s Allison Hart në një deklaratë.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi Gjermaninë me reduktim të trupave amerikane në mes të një përplasjeje publike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili tha se SHBA po “poshtërohej” nga Irani.
Ndërkohë Pentagoni do të lërë ende rreth 33,000 trupa amerikane në Gjermani, duke përmbysur një rritje të pranisë ushtarake që kishte nisur gjatë administratës së Presidentit Joe Biden.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha POLITICO-s se prania ushtarake e SHBA-së në Evropë është një “kontribut i rëndësishëm për parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s” dhe përbën “bazën e mbrojtjes kolektive për 23 shtete anëtare të BE-së që janë gjithashtu aleatë në NATO”.
Ai shtoi se vendet e BE-së po përmbushin angazhimet e tyre ndaj NATO-s duke rritur shpenzimet ushtarake me një “ritëm të paprecedentë”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi tërheqjen e trupave në përgjigje të “kushteve në terren”, pas një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
“Presim që tërheqja të përfundojë brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm”, tha Parnell.
Ndërkohë duke reaguar ndaj njoftimit të Pentagonit, kryeministri polak Donald Tusk e quajti këtë një “prirje katastrofike” në marrëdhëniet Evropë-SHBA.
“Kërcënimi më i madh për komunitetin transatlantik është shpërbërja e vazhdueshme e aleancës sonë,” shkroi Tusk në platformën X sot, duke shtuar se “të gjithë duhet të bëjmë çfarë është e nevojshme për ta kthyer këtë prirje të rrezikshme”.
Trump ka kërcënuar gjithashtu me tërheqjen e trupave amerikane nga Spanja dhe Italia, mes sulmeve të reja ndaj kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez dhe lideres italiane Giorgia Meloni.
Kujtojmë se Madridi dhe Roma, njësoj si Berlini, kanë kritikuar luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale të enjten, Trump tha se “ndoshta” do të tërhiqte trupat amerikane nga këto dy vende të Evropës Jugore.
Ai tha se Italia “nuk na ka ndihmuar aspak”, ndërsa Spanjën e quajti “absolutisht të tmerrshme”. Si Spanja ashtu edhe Italia kanë refuzuar që avionët ushtarakë amerikanë që marrin pjesë në luftën me Iranin të përdorin bazat e tyre ushtarake./ Politico.eu/
© SYRI.net