Shtatë të vdekur nga sulmi rus ndaj Ukrainës

Shtatë të vdekur nga sulmi rus ndaj Ukrainës

14:47, 25/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të paktën shtatë persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet ruse që përfshinë gjithë Ukrainën gjatë natës së kaluar. Pesë prej të cilëve në qytetin qendror Dnipro, ku u godit një ndërtesë banimi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmi i fundit zgjati “praktikisht gjithë natën”, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdonin kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja në Dnipro të shtunën në mëngjes.

BBC shkruan se avionë britanikë u ngritën nga Rumania gjatë sulmit të rëndë pasi u zbuluan dronë rusë pranë kufirit, megjithatë Ministria britanike e Mbrojtjes hodhi poshtë raportet se kishte rrëzuar disa prej tyre.

Ndërkohë, Ukraina kreu disa nga sulmet e saj me dronë në distanca më të gjata, thellë brenda territorit rus.

Në Jekaterinburg, rreth 1 mijë e 600 km larg kufirit me Ukrainën, guvernatori tha se gjashtë persona u plagosën pasi një ndërtesë u godit. Ndërsa në qytetin fqinj Çeljabinsk, një drejtues lokal tha se dronët që synonin një objekt industrial u neutralizuan.

Raketat dhe dronët rusë goditën gjithashtu qytetin verior Çernihiv, ku sipas autoriteteve u vranë dy persona, si dhe qytetet Odesa dhe Kharkiv.

Autoritetet ukrainase thanë se zmbrapsën shumicën dërrmuese të më shumë se 600 dronëve rusë, duke e cilësuar këtë si një nga sulmet më të mëdha të ditëve të fundit.

Zelensky shkroi në rrjetet sociale: “Taktikat e rusëve nuk kanë ndryshuar: dronë goditës, raketa lundruese dhe një sasi e konsiderueshme raketa balistike. Shumica e objektivave janë infrastrukturë e zakonshme në qytete. Janë dëmtuar ndërtesa banimi, energjia dhe ndërmarrjet.”

Banorët u evakuuan të shtunën në mëngjes, ndërsa ekipet e shpëtimit vijonin kërkimet për të mbijetuar në Dnipro.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte rrëzuar 127 dronë në më shumë se një duzinë rajonesh. Ajo gjithashtu njoftoi se kishte marrë kontrollin e fshatit Bochkove në rajonin e Kharkivit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass.

Ky vendbanim ndodhet pranë kufirit verior të Ukrainës me Rusinë, ku forcat pushtuese kanë bërë përpjekje të përsëritura për të avancuar më tej drejt jugut, në drejtim të qytetit Kharkiv.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco