Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po kërkon një takim urgjent me presidentin amerikan, Donald Trump, raportoi CNN duke cituar një burim izraelit.
Sipas burimit, Netanyahu po përpiqet të organizojë takimin menjëherë pas kthimit të Trump nga samiti i G7 në Evropë fundjavën e ardhshme, ose sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të tij.
Kërkesa për takim vjen në një kohë kur po rriten tensionet lidhur me negociatat për programin bërthamor të Iran dhe zbatimin e armëpushimit me Hezbollah në Liban.
Ndërkohë, Trump kritikoi ashpër Izraelin të dielën, pasi ushtria izraelite kreu sulme ndaj Bejrut si kundërpërgjigje ndaj zjarrit të Hezbollahut në veri të Izraelit. Presidenti amerikan deklaroi se sulmi ndaj kryeqytetit libanez “nuk duhej të kishte ndodhur”, ndërsa e cilësoi sulmin e Hezbollahut si “shumë të vogël dhe të parëndësishëm”.
Deklaratat e Trump kanë nxjerrë në pah dallimet mes Uashingtonit dhe Tel Avivit lidhur me menaxhimin e situatës së sigurisë në rajon, ndërsa përpjekjet për ruajtjen e armëpushimit mbeten të brishta.
© SYRI.net