Qeveria e Donald Trump ka ndërmarrë një hap të ri në drejtim të forcimit të presionit ekonomik ndaj Iranit, duke ngrirë 344 milionë dollarë në kriptomonedha që, sipas autoriteteve amerikane, lidhen me Teheranin.
Lajmi u publikua fillimisht nga CNN, në një kohë kur përpjekjet diplomatike mbeten në vendnumëro dhe situata gjeopolitike vijon të jetë e tensionuar.
Kjo lëvizje konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë të Shteteve të Bashkuara për të shtrënguar sanksionet ndaj Iranit, ndërsa ndikimet në ekonominë globale kanë nisur të ndihen. Sipas burimeve zyrtare, objektivi është kufizimi i burimeve financiare që mund të përdoren nga regjimi iranian në aktivitetet e tij ndërkombëtare.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se autoritetet amerikane po vendosin sanksione ndaj disa portofolave digjitalë të lidhur me Iranin.
“Do të ndjekim çdo rrjedhë parash që Teherani përpiqet të transferojë jashtë vendit dhe do të godasim çdo kanal financiar të lidhur me regjimin”, theksoi ai në një deklaratë zyrtare. Ndërkohë, përfaqësia e Iranit në OKB nuk pranoi të komentojë mbi çështjen.
Kompania e kriptomonedhave Tether konfirmoi se ka bashkëpunuar me qeverinë amerikane për ngrirjen e fondeve në dy adresa digjitale, pas informacioneve të marra nga autoritetet për aktivitete të dyshimta dhe të lidhura me veprimtari të paligjshme.
Një zyrtar amerikan i tha CNN se ekzistojnë prova që lidhin fondet me Iranin, duke shtuar se përmes analizës së blockchain janë identifikuar “lidhje të rëndësishme me regjimin iranian”. Sipas tij, janë konstatuar transaksione me platforma iraniane dhe transferime përmes adresave ndërmjetëse që lidhen me portofola të afërta me Bankën Qendrore të Iranit.
Megjithatë, CNN thekson se nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Kriptomonedhat si mjet për të shmangur sanksionet
Zyrtarët amerikanë argumentojnë se Irani ka rritur përdorimin e metodave të sofistikuara për të fshehur përfshirjen në transaksione ndërkombëtare përmes kriptomonedhave. Qëllimi është mbështetja e monedhës vendase dhe lehtësimi i tregtisë në kushtet e sanksioneve të ashpra.
Sipas të dhënave nga kompania e analizës së blockchain Chainalysis, rezervat e kriptomonedhave në Iran arritën në 7.8 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje të shpejtë krahasuar me një vit më parë.
Në të njëjtën kohë, raportohet se një pjesë e konsiderueshme e këtyre aseteve kontrollohet nga strukturat shtetërore dhe paraushtarake, çka sipas ekspertëve reflekton rolin dominues të tyre në ekonominë iraniane.
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, përdorimi i kriptomonedhave nga vende si Irani, Rusia dhe Koreja e Veriut po shihet gjithnjë e më shumë si një mënyrë për të shmangur sistemin financiar tradicional dhe kufizimet ndërkombëtare.
© SYRI.net