Departamenti amerikan i Drejtësisë heq dorë nga hetimi ndaj kryetarit të Rezervës Federale, do hetohet nga...

Departamenti amerikan i Drejtësisë heq dorë nga hetimi ndaj kryetarit të Rezervës Federale, do hetohet nga...

18:03, 24/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka vendosur të mbyllë hetimin ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, i cili lidhej me dyshime për tejkalim të kostove në projektet e ndërtimit.

Prokurorja amerikane Jeanine Pirro njoftoi se, në vend të hetimit penal, çështja do të shqyrtohet përmes një hetimi të brendshëm të udhëhequr nga inspektori i përgjithshëm i bankës qendrore.

Donald Trump kishte deklaruar vitin e kaluar se kostot e rinovimit të ndërtesave të Rezervës Federale ishin tepër të larta, në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme me Powell.

Ndërkohë, mandati i Powell po i afrohet fundit dhe Senati amerikan po shqyrton kandidaturën e propozuar nga Trump për zëvendësimin e tij, Kevin Warsh. Një senator republikan me peshë, Thom Tillis, kishte kushtëzuar mbështetjen e tij duke kërkuar ndërprerjen e hetimit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, deklaroi se “tatimpaguesit amerikanë meritojnë përgjigje për menaxhimin financiar të Rezervës Federale” dhe se hetimi nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm është mënyra më e përshtatshme për ta çuar çështjen deri në fund.

Sipas tij, Shtëpia e Bardhë mbetet e bindur se Senati do ta konfirmojë së shpejti Warsh si kryetar të ri të Rezervës Federale, me synimin për të rikthyer besimin dhe profesionalizmin në vendimmarrje.

Pas rikthimit në detyrë, Trump kishte kërkuar uljen e normave të interesit dhe madje kishte hedhur idenë e shkarkimit të Powell – një veprim që disa ekspertë e cilësuan si të paligjshëm.

Në janar, Powell bëri një veprim të pazakontë duke publikuar një video, ku tregoi se Departamenti i Drejtësisë i kishte dërguar thirrje në gjyq dhe kishte kërcënuar me ndjekje penale për dëshminë e tij para Senatit lidhur me kostot e rinovimeve.

Duke e cilësuar hetimin si “të paprecedent”, Powell tha se ai ishte nxitur nga pakënaqësia e Trump për refuzimin e Rezervës Federale për të ulur normat e interesit, pavarësisht presionit publik. Nga ana e tij, Trump deklaroi se nuk kishte dijeni për hetimin.

Kjo ishte hera e parë që Powell kundërshtoi hapur dhe fuqishëm presidentin, duke paralajmëruar se pavarësia e bankës qendrore ishte në rrezik.

“Çështja thelbësore është nëse Rezerva Federale do të vazhdojë të marrë vendime mbi normat e interesit bazuar në analiza ekonomike, apo nëse politika monetare do të ndikohet nga presioni politik dhe frikësimi,” theksoi Powell.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco