Kryediplomatët e Pakistanit dhe Iranit kanë diskutuar armëpushimin në fuqi, si dhe nevojën për “dialog dhe angazhim të vazhdueshëm” me SHBA-në, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se kryediplomati Ishaq Dar, mori një telefonatë nga homologu i tij iranian, Abbas Araghchi gjatë së cilës shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale, armëpushimin dhe përpjekjet diplomatike të ndërmarra nga Islamabadi në kontekstin e angazhimit SHBA-Iran.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit njoftoi se Araghchi zhvilloi telefonata të ndara me homologun e tij pakistanez si dhe me shefin e ushtrisë pakistaneze Asim Munir, për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe çështjet që lidhen me armëpushimin.
Ministria iraniane nuk dha detaje shtesë mbi bisedat.
Dar theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe angazhimit për zgjidhjen e çështjeve të mbetura me SHBA-në, me qëllim përparimin e paqes dhe stabilitetit rajonal ndërsa Araghchi vlerësoi rolin “konsekuent dhe konstruktiv” të Pakistanit në këtë proces.
Kjo ishte telefonata e tretë mes ministrave Dar dhe Araghchi që nga e diela, teksa përpjekjet e Islamabadit vazhdojnë për të rikthyer SHBA-në dhe Iranin në një raund të dytë bisedimesh për përfundimin e luftës.
Teherani ka kundërshtuar thirrjet për të dërguar përfaqësues në Islamabad pa heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane. Pakistani priti raundin e parë të bisedimeve direkte mes Washingtonit dhe Teheranit më 11-12 prill, pas sigurimit të një armëpushimi dyjavor më 8 prill.
Presidenti amerikan Donald Trump e zgjati armëpushimin pa afat të ri, pak orë para skadimit të tij.
Që nga fillimi i luftës, Iran ka mbajtur kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit ndërsa një bllokadë detare amerikane më 13 prill ka ndikuar në furnizimet globale të energjisë, veçanërisht në Azi./ AA.
© SYRI.net