Liderët e Qipros, Greqisë, Italisë dhe Maltës u takuan në Agia Napa për të diskutuar koordinimin e veprimeve përballë rrezikut të rritjes së flukseve migratore nga Lindja e Mesme. Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian për të shmangur një krizë të ngjashme me atë të vitit 2015.
Katër vendet, të vendosura në kufijtë e jashtëm të BE-së, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë, menaxhimit efektiv të kufijve dhe angazhimit diplomatik në rajon. Ata gjithashtu kërkuan koordinim të mëtejshëm me Komisionin Evropian për të integruar masat kombëtare në një strategji të përbashkët evropiane.
Deklaratë e përbashkët për shtyp mbi takimin e liderëve të Qipros, Greqisë, Italisë dhe Maltës për çështjet e migracionit në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme
24 prill 2026
Në kuadër të takimit joformal të anëtarëve të Këshillit Evropian në Agia Napa, Qipro, Presidenti i Republikës së Qipros dhe Kryeministrat e Greqisë, Italisë dhe Maltës u takuan për të diskutuar nisma të mundshme që mund të zbatohen në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme, me qëllim parandalimin e një krize migratore të ngjashme me atë të vitit 2015, siç përmendet në Konkluzionet e Këshillit Evropian të 19 marsit 2026.
Duke rikonfirmuar rëndësinë e përpjekjeve në vazhdim për arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë diplomatike të konfliktit, katër liderët theksuan gjithashtu nevojën për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët në rajon për të siguruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për popullsitë e prekura. Në cilësinë e tyre si shtete anëtare të vendosura në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe më të ekspozuara ndaj flukseve të mundshme të pakontrolluara migratore drejt Unionit, ata shqyrtuan gjithashtu një sërë masash të mundshme që synojnë garantimin, nëse është e nevojshme dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, të sigurisë dhe menaxhimit efektiv të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Duke rikonfirmuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët evropiane për të maksimizuar efektivitetin e përgjigjeve të tyre kombëtare ndaj një rritjeje të mundshme të konsiderueshme të flukseve migratore të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, liderët e Qipros, Greqisë, Italisë dhe Maltës ngarkuan ministrat përkatës përgjegjës për çështjet e brendshme dhe migracionin që të vazhdojnë koordinimin e ngushtë, duke përfshirë edhe shqyrtimin, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, të mënyrave më të përshtatshme për integrimin e përpjekjeve kombëtare brenda kuadrit të kompetencave dhe nismave përkatëse të Bashkimit Evropian./ Alba Kepi/
© SYRI.net