Nga Alba Kepi
Avokati i përgjithshëm i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka vlerësuar se protokolli Itali–Shqipëri për menaxhimin e migrantëve është në përputhje me të drejtën e BE-së, duke hapur rrugë për vazhdimin e projektit të qendrave të pritjes dhe riatdhesimit në territorin shqiptar.
Sipas avokatit të përgjithshëm Nicholas Emiliou, marrëveshja mes dy vendeve është “e pajtueshme me rregullat e BE-së për procedurat e azilit dhe kthimit”, me kusht që të garantohen plotësisht të drejtat themelore të migrantëve. Këto përfshijnë aksesin në ndihmë ligjore, përkthim, komunikim me familjarët, si dhe mbrojtje të veçantë për të miturit dhe personat në situata vulnerabël.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Protokolli i nënshkruar më 6 nëntor 2023 mes Italisë dhe Shqipërisë i jep Italisë të drejtën të ndërtojë dhe menaxhojë në territorin shqiptar qendra për pritjen dhe riatdhesimin e migrantëve. Edhe pse të vendosura në Shqipëri, këto struktura mbeten nën juridiksionin italian.
Projektit i është shoqëruar debat i fortë ligjor dhe politik në Itali, ku gjykatat kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e disa masave të ndalimit të migrantëve, duke shkaktuar një përplasje mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor.
Opinioni i Gjykatës së BE-së
Çështja ka mbërritur në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së pas një sërë vendimesh kontradiktore të gjykatave italiane. Edhe pse opinioni i avokatit të përgjithshëm nuk është detyrues, ai shpesh ndikon në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Sipas tij, e drejta evropiane nuk e ndalon vendosjen e qendrave të tilla jashtë territorit të një shteti anëtar, për sa kohë respektohen garancitë ligjore dhe të drejtat e njeriut.
Reagimi i kryeministres Meloni
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka cilësuar opinionin si një konfirmim të qasjes së qeverisë së saj në menaxhimin e migracionit.
“Ky është një lajm i rëndësishëm që tregon se rruga që kemi zgjedhur është e drejtë dhe se Italia ka humbur dy vite për shkak të interpretimeve gjyqësore të pabazuara. Ne do të vazhdojmë përpara me vendosmëri, sepse lufta kundër emigracionit të paligjshëm kërkon seriozitet dhe zgjidhje konkrete”, u shpreh Meloni.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së pritet të përcaktojë qartë kufijtë ligjorë të marrëveshjeve të tilla ndërkombëtare për menaxhimin e migracionit jashtë territorit të BE-së, duke pasur ndikim të mundshëm edhe për politika të ngjashme në vende të tjera anëtare.
© SYRI.net