Irani sekuestron dy anije në Ngushticën e Hormuzit pasi Trump ndalon sulmet

Irani sekuestron dy anije në Ngushticën e Hormuzit pasi Trump ndalon sulmet

15:00, 22/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Irani ka sekuestruar dy anije në Ngushticën e Hormuzit, duke rritur tensionet në një nga rrugët më strategjike detare në botë, ndërsa situata mbetet e paqartë pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të shtyrë pa afat sulmet ndaj Teheranit.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, anijet u ndaluan nga Garda Revolucionare për shkelje detare dhe u shoqëruan drejt brigjeve iraniane. Ky është rasti i parë i tillë që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.

Ndërkohë, një agjenci britanike e sigurisë detare raportoi se të paktën tre anije të tjera janë qëlluar me armë në të njëjtën zonë. Një prej tyre pësoi dëmtime të mëdha në urën e komandimit pas sulmit me armë zjarri dhe granata, por pa viktima.

Në një deklaratë, Trump bëri të ditur se SHBA ka pranuar një kërkesë të ndërmjetësve pakistanezë për të shtyrë sulmet ndaj Iranit, në pritje të një propozimi të përbashkët për paqe. Megjithatë, ai theksoi se bllokada detare ndaj Iranit do të vijojë.

Nga ana tjetër, Irani e konsideron këtë bllokadë një akt lufte dhe ka paralajmëruar se nuk do të hapë Ngushticën e Hormuzit për sa kohë që SHBA vazhdon presionin ushtarak dhe ekonomik.

Përpjekjet për negociata të ndërmjetësuara nga Pakistani kanë hasur vështirësi, pasi palët nuk u paraqitën në bisedimet e planifikuara në Islamabad. Megjithatë, burime diplomatike bëjnë me dije se përpjekjet për dialog vijojnë.

Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë, mbetet një pikë kritike e konfliktit, ndërsa tensionet mes SHBA dhe Iranit vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin global dhe tregjet energjetike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco