Presidenti francez, Emmanuel Macron akuzoi Hezbollahun, grupin e mbështetur nga Irani, për vrasjen e ushtarit francez të misionit paqeruajtës në jug të Libanit. Ai e cilësoi sulmin si një pritë të mirëorganizuar.
“Gjithçka sugjeron që Hezbollahu është përgjegjës për këtë sulm”, tha ai.
Sipas Pallatit Elysee, sulmi ka një mesazh të dyfishtë. Së pari, të frikësojë Francën dhe ta pengojë atë të mbështesë një forcim të mandatit apo rolit të misionit të OKB-së UNIFIL dhe së dyti, të minojë që në fillim përpjekjet për negociata mes Libanit dhe Izraelit.
Autoritetet franceze po shqyrtojnë edhe mundësinë që pas këtij sulmi të qëndrojë një strategji më e gjerë e lidhur me Iranin, ose të paktën një inkurajim nga qarqe pranë tij. Irani shihet si kundërshtar i fortë i çdo afrimi mes Libanit dhe Izraelit, pasi një zhvillim i tillë mund të dobësojë ndikimin e tij në rajon.
Franca ka prej vitesh një rol të veçantë në Liban, duke mbështetur sovranitetin e shtetit, ushtrinë dhe institucionet, si dhe duke qenë një nga kontribuesit kryesorë në UNIFIL me qindra trupa në terren.
Muajt e fundit, media e lidhur me Hezbollahun ka intensifikuar akuzat e saj kundër Francës, duke e portretizuar atë si shumë me ndikim në UNIFIL dhe të përkushtuar për të mbështetur shtetin libanez.
Parisi gjithashtu ka ndikim në disa çështje shumë të ndjeshme që ndikojnë në të ardhmen e Libanit jugor, nga rishikimi i rregullave të angazhimit të misionit të OKB-së deri te fillimi i mundshëm i një procesi për të përmbajtur ose çarmatosur Hezbollahun.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, kur Franca po përpiqet të ruajë një pozicion të pavarur nga SHBA dhe Izraeli në konfliktin në Lindjen e Mesme. Megjithatë, kjo qasje e balancuar mund ta ketë bërë atë objektiv, pasi goditja ndaj Francës dërgon një mesazh ndaj një fuqie perëndimore që mund të ndikojë në ekuilibrat rajonalë.
Brenda pak më shumë se një muaji, ky është rasti i dytë që një ushtar francez vritet nga grupe të lidhura me grupin pro-iranian.
© SYRI.net