Ushtria amerikane po planifikon të nisë një seri operacionesh dhe sekuestrimesh të anijeve të lidhura me Iranin në ujëra ndërkombëtare në ditët në vijim, duke rritur presionin ekonomik dhe ushtarak mbi Teheranin, ndërsa tensionet mbeten të larta në Ngushticën e Hormuzit.
The Wall Street Journal raportoi se ushtria amerikane po përgatitet të ndërhyjë ndaj tankerëve të lidhura me Iranin dhe të sekuestrojë anije tregtare edhe jashtë Lindjes së Mesme, duke zgjeruar operacionin e saj të mbikëqyrjes detare në nivel global.
Plani vjen në një kohë kur forcat e armatosura iraniane kanë shtuar praninë e tyre në Ngushticën e Hormuzit, pasi kanë sulmuar të paktën dy anije tregtare të shtunën dhe kanë deklaruar se Teherani po e “kontrollon rreptësisht” këtë rrugë detare.
Administrata amerikane synon që përmes rritjes së presionit ekonomik të detyrojë Iranin të garantojë kalimin e lirë në këtë ngushticë strategjike dhe të bëjë lëshime për programin e tij bërthamor, i cili është një nga temat kryesore të negociatave mes dy vendeve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të premten se Irani tashmë ka pranuar të dorëzojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në Shtetet e Bashkuara, një pretendim që pala iraniane e ka mohuar.

Në qendër të bisedimeve është edhe kohëzgjatja për të cilën Irani do të pranojë të kufizojë pasurimin e uraniumit, si dhe mundësia e lirimit të miliarda dollarëve fonde të ngrira jashtë vendit si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.
Komanda Qendrore e SHBA (US Central Command) deklaroi se 23 anije që tentuan të lundrojnë nga portet iraniane janë tashmë të ndaluara si pjesë e një bllokade detare.
Zgjerimi i operacionit do t’i lejojë SHBA-së të marrë kontrollin e anijeve të lidhura me Iranin në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë tankerët e naftës jashtë Gjirit Persik dhe ngarkesa armësh që mund të forcojnë regjimin iranian.
Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, tha se SHBA “do të ndjekë çdo anije me flamur iranian ose çdo mjet lundrues që përpiqet t’i ofrojë mbështetje materiale Iranit”.
Sipas tij, operacioni përfshin edhe të ashtuquajturën “flotë hije”, pra anije që shmangin rregullat ndërkombëtare, sanksionet ose kërkesat e sigurimeve.
© SYRI.net