Teherani ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se menaxhimi i saj mbetet një e drejtë sovrane e Iranit.
Zëvendëspresidenti iranian, Mohammad Reza Aref, deklaroi se “menaxhimi i Ngushticës së Hormuzit është përgjegjësi e Iranit dhe konsiderohet e drejtë ligjore e vendit; si në tryezën e negociatave ashtu edhe në terren, ne do ta mbrojmë këtë të drejtë”. Ai shtoi se përfundimi i luftës pritet të shoqërohet me heqjen e sanksioneve.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit bëri të ditur se Teherani do të vijojë të mbajë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit “deri në përfundimin përfundimtar të luftës”.
Sipas deklaratës, Irani po shqyrton propozimet e reja të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara, të përcjella përmes Pakistanit, por ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raporton se Këshilli paralajmëroi gjithashtu se, për sa kohë që vazhdon bllokada detare amerikane ndaj porteve iraniane, Teherani do ta konsiderojë atë si shkelje të armëpushimit.
© SYRI.net