Çështja Mandelson 'ndez' Britaninë: Robbins pritet të dëshmojë në Parlament kundër Starmer

Çështja Mandelson 'ndez' Britaninë: Robbins pritet të dëshmojë në Parlament kundër Starmer

20:09, 17/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nëpunësi civil i shkarkuar, Sir Olly Robbins, pritet të përballet me Sir Keir Starmer në Parlament javën e ardhshme, sipas The Telegraph.

Aleatët e ish-zyrtarit të lartë në Ministrinë e Jashtme bëjnë të ditur se ai ka pranuar të paraqitet para Komisionit të Punëve të Jashtme të martën.

Dëshmia e tij mund të krijojë vështirësi të reja për Kryeministrin, i cili ka këmbëngulur se as ai dhe as ndonjë ministër apo zyrtar tjetër nuk ishin informuar se Lord Mandelson nuk e kishte kaluar verifikimin e sigurisë për postin e ambasadorit në SHBA.

Kryeministri pritet të japë një deklaratë në Dhomën e Komunave të hënën lidhur me këtë çështje të verifikimit të Lord Mandelson.

Downing Street ka kundërshtuar pretendimet e bëra nga aleatët e Robbins, duke i akuzuar ata për keqinterpretim të mënyrës se si funksionon procesi i verifikimit.

Ciaran Martin, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe mik i Robbins, sugjeroi se përshkrimi i bërë nga Downing Street për Lord Mandelson si dikush që “ka dështuar” në kontrollet e sigurisë është i pasaktë.

Në përgjigje, Downing Street publikoi formularin që përdoret nga autoritetet britanike të verifikimit të sigurisë për kandidatët, ku kërkohet të shënohet nëse autorizimi është miratuar, miratuar me menaxhim risku apo refuzuar.

Gjithashtu, u bë publik një email i brendshëm që përmbledh një takim mes Starmer dhe ekipit të tij të ngushtë të martën në mbrëmje, ku rezulton se pikërisht atëherë ai u informua nga zyrtarët se Lord Mandelson nuk e kishte kaluar verifikimin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco