Mbyllet Muzeu i Gulagut në Moskë, do të rihapet me mision të ri

Mbyllet Muzeu i Gulagut në Moskë, do të rihapet me mision të ri

16:27, 17/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Muzeu i Historisë së Gulagut, një nga institucionet e pakta në Rusi të përqendruara te reflektimi kritik mbi represionin sovjetik, është mbyllur dhe do të rihapet së shpejti me një emër dhe mision të ri. Autoritetet justifikuan mbylljen me “shkelje të normave të sigurisë kundër zjarrit”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

I hapur në vitin 2001, muzeu dokumentonte kampet e punës së detyruar dhe përkujtonte miliona viktima të regjimit sovjetik. I konceptuar për të rikrijuar atmosferën e burgjeve me hapësira të errëta, struktura metalike dhe ambiente të ftohta, ai synonte t’i përfshinte vizitorët në përvojën e të burgosurve. Në dalje, vizitorët ftoheshin të plotësonin frazën: Nuk do të përsëritet nëse…

Sipas njoftimeve zyrtare, institucioni do të transformohet në “Muzeun e Kujtesës”, i dedikuar “gjenocidit të popullit sovjetik” nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, e njohur në Rusi si Lufta e Madhe Patriotike. Një “Ditë e Gjenocidit” pritet të shënohet për herë të parë, pas një dekreti të firmosur në fund të vitit 2025 nga presidenti Vladimir Putin.

Analistë dhe kritikë e shohin këtë ndryshim si pjesë të një riorientimi më të gjerë të politikave të kujtesës historike në vend. “Muzeu i Gulagut ishte i vetmi që nuk glorifikonte, por nxiste autokritikë. Kishte shumë për t’u pranuar dhe asgjë për t’u festuar”, thonë zëra kritikë, duke paralajmëruar se figura e viktimave të represionit rrezikon të zbehet nga narrativa zyrtare.

Mbyllja e muzeut konsiderohet si pjesë e një tendence më të gjerë në Rusi. Organizata “Memorial”, e njohur për dokumentimin e krimeve staliniste, u shpërbë në vitin 2021 dhe më pas u shpall “organizatë e padëshiruar” dhe “ekstremiste”. Ndërkohë, memorialet për viktimat e represionit janë dëmtuar ose hequr, ndërsa aktivitetet përkujtimore janë kufizuar.

Në të njëjtën kohë, është vërejtur një rikthim i simboleve të epokës së Iosif Stalin, përfshirë statuja dhe elementë në hapësira publike. Kritikët argumentojnë se kjo shoqërohet me një zhvendosje nga motoja “Kurrë më” drejt një narrative më militariste.

Edhe figura kritike ndaj regjimit sovjetik, si shkrimtari Aleksandr Solzhenitsyn, po përballen me margjinalizim simbolik. Monumenti i tij në Vladivostok pritet të zhvendoset nga qendra e qytetit drejt periferisë, me arsyetimin se “nuk i përshtatet zonës”.

Zhvillimet lidhen edhe me përpjekjet për të riformuluar historinë në funksion të aktualitetit politik. Në Volgograd, ish-Stalingrad, është planifikuar hapja e një muzeu të ri kushtuar “Operacionit ushtarak special”, siç e quan Rusia luftën në Ukrainë, pranë kompleksit memorial të betejës së Stalingradit.

Kjo ka shkaktuar reagime kritike në publik, me argumentin se vendosja e një narrative bashkëkohore pranë një prej simboleve më të mëdha të sakrificës historike përbën një instrumentalizim të kujtesës.

Sipas analistëve, historia po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet politik. Megjithatë, disa mbeten skeptikë për qëndrueshmërinë e kësaj qasjeje, duke theksuar se interpretimet historike ndryshojnë me kohën, ashtu si edhe monumentet që i përfaqësojnë ato.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco