La Spezia: Sekuestrohen mbi 65 kg kokainë në port – goditet një rrjet i dyshuar ndërkombëtar trafiku drogash

La Spezia: Sekuestrohen mbi 65 kg kokainë në port – goditet një rrjet i dyshuar ndërkombëtar trafiku drogash

10:08, 17/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Autoritetet italiane kanë finalizuar një operacion të rëndësishëm antidrogë në portin e La Spezia-s, ku u sekuestrua një ngarkesë prej mbi 65 kilogramësh kokainë shumë të pastër, e dyshuar si pjesë e një trafiku ndërkombëtar narkotikësh.

Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me Agjencinë e Doganave dhe Monopoleve (ADM), në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të kontrollit dhe analizës së rrezikut mbi mallrat që hyjnë dhe dalin nga porti. Këto kontrolle synojnë parandalimin dhe goditjen e trafikut të paligjshëm që përdor rrugët detare tregtare për të transportuar lëndë narkotike.

Sipas autoriteteve, droga ishte e ndarë në 56 pako dhe ishte fshehur me kujdes brenda një kontejneri që në dokumentacion paraqitej si transportues i mobilieve dhe artikujve shtëpiakë prej druri të çmuar. Fillimisht, gjithçka dukej në rregull në bazë të deklarimeve doganore, megjithatë disa elementë të dyshimtë në lidhje me origjinën e ngarkesës dhe destinacionin përfundimtar jashtë zonës së La Spezia-s ngritën alarmin e autoriteteve.

Edhe pse një skanim paraprak me pajisje të specializuara nuk dha rezultate pozitive, oficerët vendosën të vijojnë me një kontroll më të thelluar fizik të kontejnerit. Në këtë fazë u angazhua edhe një njësi e qenve antidrogë, e specializuar në zbulimin e substancave narkotike.

Gjatë inspektimit të detajuar, vëmendja e hetuesve u përqendrua në brendësinë e një komodine prej druri, ku u vërejt një strukturë metalike e pazakontë, e cila nuk përputhej me mënyrën standarde të ndërtimit të mobilieve të deklaruara. Kjo gjë ngriti menjëherë dyshime të mëtejshme dhe çoi në çmontimin e plotë të objektit.

Brenda strukturës u zbuluan dy kontejnerë të mbyllur prej metali, të cilët ishin të veshur me plumb – një teknikë e njohur që përdoret nga rrjetet kriminale për të penguar zbulimin e ngarkesës nga skanerët doganorë. Pasi këto enë u hapën me mjete speciale, u konstatua prania e 56 pakove me kokainë, të cilat ishin gjithashtu të mbuluara me një substancë pluhuri me erëza, me qëllim maskimin e erës së drogës dhe shmangien e zbulimit nga qentë antidrogë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, përdorimi i këtyre dy teknikave njëkohësisht – veshja me plumb dhe maskimi me substanca aromatike – tregon një nivel të lartë organizimi kriminal dhe përpjekje të sofistikuara për të kaluar pa u vënë re nga kontrollet doganore.

E gjithë sasia e lëndës narkotike u sekuestrua menjëherë dhe u vu në dispozicion të Prokurorisë së Republikës së La Spezia-s. Hetimet janë në vijim me qëllim identifikimin e personave përgjegjës, si dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të dyshuar ndërkombëtar që qëndron pas këtij transporti.

Autoritetet italiane theksojnë se ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë institucional mes Guardia di Finanza dhe ADM, i formalizuar përmes një protokolli kombëtar bashkëpunimi, i cili synon forcimin e kontrolleve doganore dhe luftën kundër hyrjes së lëndëve narkotike në territorin italian përmes rrugëve tregtare ndërkombëtare

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco