Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka rënë dakord të mos zhvillojë armë bërthamore për një periudhë mbi 20-vjeçare.
“Po shkon shumë mirë që do të arrijmë një marrëveshje me Iranin dhe do të jetë një marrëveshje e mirë, një marrëveshje pa armë bërthamore,” tha Trump.
Ai shtoi se marrëveshja përfshin një angazhim afatgjatë: “Kemi një deklaratë shumë të fortë, përtej 20 viteve, që ata nuk do të kenë armë bërthamore. Të jemi të sinqertë, nuk ka kufi prej 20 vitesh.”
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar të menjëhershëm nga pala iraniane.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim 10-ditor me Libanin, në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje paqeje mes dy vendeve.
“Ne kemi një mundësi për të arritur një marrëveshje historike me Libanin,” deklaroi Netanyahu, duke theksuar se kushti kryesor mbetet çarmatimi i Hezbollahut.
Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përfshijë shpërbërjen e këtij grupi të mbështetur nga Irani.
Edhe presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi armëpushimin, duke deklaruar se ai përfshin Hezbollahun dhe se SHBA-të mund të angazhohen më tej diplomatikisht në rajon, përfshirë një vizitë të mundshme në Liban “në kohën e duhur”.
© SYRI.net