Marina Berlusconi ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar në Il Fatto Quotidiano, duke hedhur poshtë çdo sugjerim për përfshirje të saj në politikë dhe duke e cilësuar shkrimin si fyes dhe mizogjin.
Në një letër të bërë publike, presidentja e Fininvest dhe Mondadori dhe vajza e ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni akuzon autorin për ‘përbuzje ndaj gjinisë femërore’, duke e krahasuar gjuhën e përdorur në artikull me atë të një ‘njeriu shpellash’ dhe duke e afruar me atë që, sipas saj, do të quhej ‘turpërim i trupit’.
Berlusconi sulmon drejtpërdrejt autorin e shkrimit Pino Corrias, duke deklaruar se qëndrimet e tij janë ‘mizogjine dhe thellësisht patriarkale’, ndërsa shton me tone ironike se ndjen keqardhje për gratë në jetën e tij.
Në reagimin e saj, ajo kritikon edhe vijën editoriale të gazetës, duke theksuar se sulmet e Marco Travaglio, Corrias dhe stafit të tyre përbëjnë për të ‘medalje trimërie’.
Sipas saj, media në fjalë ka ndërtuar ekzistencën e saj editoriale mbi një ‘obsesion anti-Berlusconi’. Deklaratat e Marina Berlusconit kanë rikthyer debatet mbi tonin e diskursit publik dhe raportet mes medias dhe figurave të njohura në Itali.
© SYRI.net