Nga Alba Kepi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar deklarata të forta ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe Papës, gjatë një interviste telefonike dhënë pak më parë për gazetën italiane ‘Corriere della Sera’.
Trump u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i Melonit, duke deklaruar se ajo nuk po mbështet mjaftueshëm aleatët perëndimorë në çështjet ndërkombëtare dhe në sigurinë globale.
“Giorgia Meloni nuk dëshiron të na ndihmojë në luftë, jam i tronditur. Mendoja se kishte guxim, por gabova”, tha Trump.
Sipas tij, kryeministrja italiane nuk po tregon vendosmëri në raport me NATO-n dhe me kërcënimin bërthamor që, sipas tij, paraqet Irani.
“Është e papranueshme, sepse asaj nuk i intereson nëse Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë për dy minuta, nëse do të kishte mundësinë”, deklaroi ai.
Trump shtoi se nuk ka folur me Melonin prej shumë kohësh dhe se ajo “nuk është më i njëjti person” që kishte vlerësuar vetëm pak javë më parë si “mikeshë” dhe “udhëheqëse të madhe”.
“Italia nuk do të jetë më i njëjti vend”, u shpreh presidenti amerikan.
Sulm edhe ndaj Papës
Gjatë intervistës, Trump kritikoi ashpër edhe Papën, duke thënë se Ati i Shenjtë nuk e kupton situatën reale në Iran dhe nuk duhet të flasë për luftën.
“Papa nuk ka asnjë ide se çfarë po ndodh në Iran. Nuk e kupton dhe nuk duhet të flasë për luftën, sepse nuk ka asnjë ide se çfarë po ndodh”, tha ai.
Ai shtoi më tej se regjimi iranian paraqet një kërcënim serioz dhe akuzoi udhëheqësit fetarë e politikë që, sipas tij, minimizojnë rrezikun.
Akuza për emigracionin në Evropë
Trump komentoi edhe çështjen e emigracionit, duke deklaruar se vala migratore po dëmton Italinë dhe vendet evropiane.
“Emigracioni po e vret Italinë dhe gjithë Evropën. Po shkatërrohen nga brenda”, tha ai.
Deklaratat e Trump pritet të shkaktojnë reagime të forta në Itali dhe në arenën ndërkombëtare, veçanërisht për tonin e ashpër ndaj Melonit dhe Papës.

© SYRI.net