Sherr me shefin, punonjësi i vë flakën magazinës së kompanisë në Itali

Sherr me shefin, punonjësi i vë flakën magazinës së kompanisë në Itali

10:25, 13/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Flakë dhe momente paniku janë shënuar pasditen e së dielës në zonën industriale të Villorbës, ku një punonjës i një firme të zonës i ka vënë zjarrin një kapanoni të përdorur si magazinë, pas një sherri të dhunshëm me shefin e tij.

Sipas raportimit të medias italiane “Il Gazzettino di Treviso”, alarmi është dhënë rreth orës 17:00, kur klientët e një qendre bowling në rrugën “Via Gobetti” kanë vënë re flakët që dilnin nga një kapanon i vendosur në oborrin e jashtëm të një kompanie në zonën industriale. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikësit, të cilët kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e ambulancës së Suem 118, si dhe të karabinierëve të stacionit të Villorbës, për të vënë situatën nën kontroll dhe për të garantuar sigurinë.

Dëshmitarët kanë treguar se pak para shpërthimit të zjarrit kishin dëgjuar një burrë duke bërtitur dhe duke goditur me një shkop arkat që ndodheshin në oborrin e jashtëm të kompanisë. Më pas, pak minuta më vonë, kapanoni është përfshirë nga flakët.

Brenda strukturës që u dogj ndodheshin materiale të ndryshme ndërtimi, të cilat u shkatërruan plotësisht nga zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Autori i dyshuar i zjarrvënies është identifikuar dhe ndaluar pak më vonë nga karabinierët e Njësisë Radiomobile të Trevisos. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga ana e autoriteteve, bëhet fjalë për një 50-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili kishte pasur një debat të fortë me punëdhënësin e tij, gjithashtu nga Europa Lindore.

Në kulmin e sherrit, punonjësi është larguar nga ambientet e kompanisë duke bërtitur dhe, në shenjë hakmarrjeje, i ka vënë zjarrin kapanonit të jashtëm.

Kur forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, është dashur ndërhyrja e tyre për të ndarë pronarin e kompanisë dhe punonjësin, të cilët vijonin ende debatin.

Përveç pronarit, në rrugën “Piero Gobetti” janë marrë në pyetje si dëshmitarë edhe disa shtetas të tjerë me origjinë nga Europa Lindore, të cilët ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohen persona të lënduar. Megjithatë, në përfundim të konfliktit, 50-vjeçari shqiptar është gjetur në gjendje konfuzioni dhe pa këpucë.

Ndaj tij pritet të ngrihen akuza për dëmtim prone dhe zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco