Bashkimi Evropian (BE) dhe Ukraina kanë hapur negociatat për grupkapitullin “themeloret” të bisedimeve të anëtarësimit të Kievit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën e vendit drejt anëtarësimit, pavarësisht luftës së vazhdueshme me Rusinë.
Grupkapitulli i parë, i cili hapet i pari dhe mbyllet i fundit në procesin e anëtarësimit, mbulon sundimin e ligjit, të drejtat themelore, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike. Progresi në këtë fushë do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Ai përfshin pesë kapituj negociues, përkatësisht gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, prokurimin publik, statistikat dhe kontrollin financiar.
Duke folur pas Konferencës së Anëtarësimit BE-Ukrainë në Luksemburg, komisarja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, e përshkroi këtë zhvillim si “hapin më të madh të vetëm” drejt anëtarësimit të Ukrainës që nga nisja e negociatave në dhjetor të vitit 2023.
“Të gjithë kemi pritur për një kohë të gjatë për këtë ditë dhe sot është një ditë për t’u festuar”, tha Kos, duke e quajtur atë "një e hënë mega”.
“Asnjë vend nuk ka arritur ndonjëherë një përparim të tillë në rrugën e anëtarësimit ndërsa përballet me brutalitetin më të madh rus në territorin e tij”, tha Kos, duke theksuar se anëtarësimi “nuk është një favor”, por diçka që “Ukraina e ka fituar”.
Ajo tha se shtetet anëtare kanë përcaktuar një agjendë reformash të përqendruar në një gjyqësor të pavarur, prokurim publik transparent dhe masa më të forta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas komisares, reformat në kuadër të grupkapitullit “themeloret” do të mundësojnë integrim më të thellë në strukturat e BE-së dhe mund t’i lejojnë Ukrainës të hyjë në disa pjesë të tregut të përbashkët të bllokut edhe para anëtarësimit të plotë.
Si hap i radhës, tha Kos, Komisioni Evropian pret që Këshilli i BE-së të hapë negociatat për pesë grupkapitujt e mbetur para verës.
“Këtë herë askush nuk duhej të dilte nga salla për një pushim kafeje”, tha ajo, duke iu referuar faktit se vendimi u mor me konsensus, ndryshe nga një rast i mëparshëm kur ish-kryeministri hungarez, Viktor Orban, thuhet se ishte larguar nga salla gjatë diskutimeve për anëtarësimin e Ukrainës për të shmangur përdorimin e vetos.
Zv/kryeministri ukrainas për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik, Taras Kachka, e përshkroi zhvillimin si një moment historik që e afron vendin me përfundimin e suksesshëm të negociatave të anëtarësimit.
“Ky është gjithashtu një garanci shumë e fortë sigurie”, tha Kachka.
Sot gjithashtu u mbajtën konferenca të veçanta të anëtarësimit me Malin e Zi dhe Moldavinë.
Në Konferencën e 27-të të Anëtarësimit me Malin e Zi, BE-ja mbylli përkohësisht negociatat për kapitullin 2, që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes së punëtorëve, si dhe kapitullin 28, që mbulon mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetin.
Sa i përket Moldavisë, takimi i sotëm shënoi konferencën e parë të anëtarësimit të vendit me BE-në./ AA.
© SYRI.net