Garda Revolucionare e Iranit ka lëshuar një deklaratë të fortë paralajmëruese ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se çdo shkelje e “vijave të kuqe” nga ana e ushtrisë amerikane do të përballet me një reagim që mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme.
Në reagimin e saj, Garda nënvizon se deri më tani ka treguar përmbajtje, por kjo fazë konsiderohet e mbyllur. Sipas deklaratës, çdo veprim i mëtejshëm nga SHBA mund të sjellë sulme ndaj infrastrukturës së saj dhe të aleatëve, me synim goditjen e furnizimeve me naftë dhe gaz për një periudhë të gjatë.
Zyrtarët iranianë theksojnë se nuk kanë qenë iniciatorë të sulmeve ndaj objektivave civile dhe nuk synojnë të ndryshojnë këtë qëndrim. Megjithatë, ata paralajmërojnë se çdo goditje ndaj infrastrukturës civile do të pasohet me kundërpërgjigje të menjëhershme.
Në të njëjtën kohë, Garda u ka bërë thirrje vendeve partnere të SHBA-së në rajon të marrin parasysh pasojat e mundshme, duke sinjalizuar se kufizimet e mëparshme në përzgjedhjen e objektivave për hakmarrje nuk do të vlejnë më.
Këto zhvillime vijnë në një klimë të tensionuar në Lindjen e Mesme, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm dhe pasoja të ndjeshme në tregjet globale të energjisë.
© SYRI.net