Tetë persona, mes tyre dy punonjës të Boeing, humbën jetën pasi një bombardues B-52 i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Baza Ajrore Edwards në Kaliforninë jugore.
Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 11:20 sipas kohës lokale (19:20 GMT), ndërsa avioni po kryente një mision rutinë testimi. Si pasojë e përplasjes, një re e madhe tymi të zi u ngrit në ajër dhe ishte e dukshme nga kilometra larg.
Komandanti i bazës, Koloneli James Hayes, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë, duke deklaruar se viktimat përbënin një ekip të përzier ushtarakësh, punonjësish civilë dhe kontraktorësh qeveritarë.
Sipas autoriteteve, indikacionet e para tregojnë se aksidenti nuk la asnjë të mbijetuar. Familjarët e viktimave po njoftohen, ndërsa identitetet e tyre pritet të publikohen pas përfundimit të procedurave zyrtare.
Hayes bëri të ditur se përplasja ndodhi brenda territorit të bazës ajrore dhe situata u vu shpejt nën kontroll. Si masë paraprake, operacionet në bazë janë pezulluar përkohësisht.
Bombarduesi B-52 ishte i angazhuar në mbështetje të programit të modernizimit të radarëve të bazës, kur u rrëzua pak çaste pas ngritjes dhe u përfshi nga flakët. Hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur, ndërsa autoritetet e kanë cilësuar ngjarjen si një përplasje katastrofike.
© SYRI.net