Nga Alba Kepi
Një situatë shqetësuese po zhvillohet në disa aeroporte të Italisë, ku mungesa e karburantit dhe furnizimet e kufizuara po ndikojnë në operimin normal të fluturimeve.
Sipas buletineve aeronautike (Notam), aeroporti i Brindizit rezulton pa karburant për avionët, të paktën deri në orën 12:00 të së martës, 7 prill.
Autoritetet u kanë kërkuar kompanive ajrore që të planifikojnë fluturimet duke siguruar karburant të mjaftueshëm në aeroportin e nisjes, pasi në Brindizi furnizimi aktualisht nuk është i disponueshëm.
Vetëm sasi shumë të kufizuara janë në dispozicion dhe ato rezervohen për fluturime shtetërore, emergjente dhe mjekësore.
Përveç Brindizit, edhe gjashtë aeroporte të tjera italiane po përballen me kufizime në furnizimin me karburant: Milano Linate, Venecia, Treviso, Bolonja, si dhe Reggio Calabria dhe Pescara.
Në disa prej tyre është vendosur një kufi maksimal për furnizim, ndërsa në të tjera kapacitetet janë reduktuar ndjeshëm.
Autoritetet përpiqen të qetësojnë situatën. Presidenti i Aeroporteve të Pulias, Antonio Maria Vasile, deklaroi se “situata është nën kontroll” dhe nuk ka arsye për panik.
Sipas tij, mungesa në Brindizi lidhet me faktin që shumë avionë nga Milano, Bolonja dhe Venecia janë furnizuar aty, duke ulur ndjeshëm rezervat.
Ai siguroi se furnizimi do të rikthehet brenda ditës së martë.
Ndërkohë, në aeroportin e Pescaras, autoritetet kanë mohuar çdo situatë emergjente. Sipas shoqërisë menaxhuese Saga, problemi lidhet me një defekt teknik në njërën prej autoboteve të furnizimit, çka ka shkaktuar vetëm vonesa të vogla, por jo mungesë karburanti.
Alarmi për këtë situatë u dha që fundjavën e kaluar, kur operatori Air BP Italia njoftoi kufizime në shpërndarjen e karburantit në disa aeroporte kryesore.
Edhe pse autoritetet italiane e lidhin këtë me rritjen e trafikut gjatë festave të Pashkëve, shumë ekspertë e shohin si një sinjal të parë të ndikimit nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasigurisë në furnizimin global me naftë.
Në aeroportet e Bolonjës, Milano Linate, Treviso dhe Venecias janë vendosur kufizimet e para për furnizimin me karburant për fluturimet, pasi kriza në Lindjen e Mesme ka vënë në rrezik furnizimet.
Situata mbetet nën monitorim, ndërsa kompanitë ajrore dhe pasagjerët përballen me pasiguri në rritje, sidomos nëse kriza energjetike përshkallëzohet në javët në vijim.
© SYRI.net