Një ishull i izoluar, pa sëmundje, mund të jetë çelësi për mbijetesën e koalave në Australi por njëkohësisht përbën edhe një rrezik për shkak të mungesës së diversitetit gjenetik. Shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje përpara se të jetë tepër vonë.
Në Australi, një ekip studiuesish përdor shkopinj të gjatë plastikë për të zbritur me kujdes një koalë femër nga pema e saj. Pas një rezistence të shkurtër, kafsha kapet dhe i nënshtrohet një kontrolli shëndetësor. Dyshimet janë se ajo është e infektuar me klamidia, një sëmundje që po përhapet me shpejtësi tek koalat.
Sipas biologes Karen Burke Da Silva nga Universiteti Flinders, klamidia është kthyer në një epidemi të madhe, duke prekur deri në 88% të koalave në disa zona të Australisë. Sëmundja shkaktohet nga bakteri Chlamydia pecorum dhe mund të çojë në verbëri, infertilitet, pneumoni dhe shpesh në vdekje.
Ndërkohë, në Parkun Kombëtar Belair në Australinë Jugore, rreth 40 koala monitorohen nga shkencëtarët për shëndetin dhe përbërjen gjenetike. Por shpresa vjen nga një tjetër vend: Ishulli Kangaroo, ku kjo sëmundje nuk është regjistruar kurrë.
Ky ishull konsiderohet si një “policë sigurimi” për specien, pasi strehon popullatën më të madhe të koalave pa klamidia. Megjithatë, izolimi për më shumë se një shekull ka bërë që këto koala të jenë shumë të afërta gjenetikisht, duke i bërë të brishta.
Shkencëtarët synojnë të rrisin diversitetin gjenetik të koalave në ishull dhe më pas t’i shpërndajnë ato në zona të tjera të Australisë me nivel të ulët të sëmundjes.
Koalat, që jetojnë në lindje dhe juglindje të Australisë, janë klasifikuar si specie e rrezikuar. Edhe pse numri i tyre llogaritet mes 398 mijë dhe 569 mijë, popullata ka rënë ndjeshëm dhe është fragmentuar në grupe të vogla, duke i bërë më të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike, humbjes së habitatit dhe sëmundjeve.
Ndërkohë, trajtimi i klamidias mbetet i vështirë. Edhe pse antibiotikët mund të ndihmojnë, procesi kërkon kapjen e kafshëve dhe nuk i mbron nga ri-infektimi. Një vaksinë e miratuar në vitin 2025 ka dhënë shpresë, duke ulur vdekshmërinë me 65%, por përdorimi i saj në shkallë të gjerë mbetet sfidë.
Edhe Ishulli Kangaroo nuk ka shpëtuar nga rreziqet. Zjarret shkatërruese të viteve 2019-2020 zhdukën rreth 80% të koalave në këtë zonë, duke e ulur popullsinë në rreth 10 mijë.
Për të mbrojtur specien, studiuesit kanë ndërmarrë iniciativa konkrete, duke blerë territore për të krijuar strehimore të sigurta për koalat. Një projekt i tillë ka siguruar habitat për rreth 1 mijë koala, ose 10% të popullsisë së mbetur në ishull.
Ekspertët paralajmërojnë se pa masa të shpejta dhe të koordinuara, koalat mund të përballen me një rënie të pakthyeshme./BBC-Syri.Net
© SYRI.net