Një artist dhe karikaturist rus, i njohur për satirat e tij të ashpra kundër presidentit rus Vladimir Putin, është vrarë me armë zjarri në Poloninë lindore, në një ngjarje që mediat polake po e cilësojnë si një ekzekutim të mundshëm.
Viktima është identifikuar nga disa media polake si Semyon Skrepetsky, 44 vjeç, shtetas rus i cili jetonte në qytetin Biała Podlaska, pranë kufirit me Bjellorusinë.
Sipas Policisë polake, një shtetas rus 44-vjeçar është qëlluar në një rrugë pranë qendrës së qytetit në orët e para të mëngjesit të së hënës, duke ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Autorët e sulmit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht mbeten në kërkim.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave vendase, një shtetas bjellorus është ndaluar pranë konsullatës bjelloruse në Biała Podlaska menjëherë pas të shtënave, por autoritetet polake nuk kanë konfirmuar zyrtarisht asnjë arrestim të lidhur me rastin.
Prokuroria dhe policia polake kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes. Deri më tani, nuk ka asnjë provë zyrtare që e lidh ngjarjen me struktura shtetërore ruse, ndërsa motivi i atentatit mbetet i paqartë.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të theksuara mes Polonisë dhe Rusisë. Varshava zyrtare ka akuzuar vazhdimisht Moskën dhe Minskun për aktivitete hibride kundër saj, përfshirë sulme kibernetike, fushata dezinformimi dhe presion migrator në kufirin lindor të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i policisë, Andrzej Fijolek, ka deklaruar se rrethanat e ngjarjes lënë të kuptohet për një vrasje të planifikuar. Sipas tij, fakti që autor i sulmit iu afrua drejtpërdrejt viktimës dhe hapi zjarr në rrugë, tregon se objektivi ishte i përzgjedhur më herët.
Sipas mediave polake, Skrepetsky njihej për karikaturat e tij satirike që ironizonin presidentin rus Vladimir Putin, liderin çeçen Ramzan Kadyrov, si dhe figura të tjera të afërta me Kremlinin. Ai kishte lënë Rusinë në vitin 2021, duke pretenduar se ishte i rrezikuar nga persekutimi politik.
Vetëm pak ditë para vrasjes, artisti kishte marrë pjesë në një protestë përpara ambasadës ruse në Berlin, ku ekspozonte një vepër satirike që paraqiste Joseph Stalin duke ushqyer një foshnjë që simbolizonte Vladimir Putinin.
Hetimet vijojnë, ndërsa Polonia mbetet në alarm për një rast që po shihet me shumë pikëpyetje dhe tension politik në sfond.
© SYRI.net