Qytetarët italianë kanë folur qartë kundër reformës në drejtësi, duke i dhënë një goditje politike kryeministres Giorgia Meloni. Rezultati i votimit konsiderohet si humbja e parë e rëndësishme për Melonin që prej ardhjes së saj në pushtet, duke thyer serinë e fitoreve në zgjedhjet vendore dhe rajonale.
Refuzimi i reformës vë në pikëpyetje një nga premtimet kryesore elektorale të qeverisë, ndërsa analistët e shohin këtë si një sinjal të qartë pakënaqësie nga ana e qytetarëve. Për herë të parë, një nismë e rëndësishme e ekzekutivit është ndalur drejtpërdrejt nga vota popullore.
Në reagimin e saj në X, Meloni u përpoq të mbajë një ton institucional, duke theksuar se qeveria kishte përmbushur premtimin për ta çuar përpara reformën dhe për t’ia lënë vendimin qytetarëve. Megjithatë, deklarata e saj nuk e fsheh dot faktin se kjo është një pengesë serioze politike për mazhorancën që ajo drejton.
“Sovraniteti i përket popullit dhe italianët sot janë shprehur qartë…”, u shpreh Meloni, duke shtuar se vendimi do të respektohet. Por pavarësisht këtij qëndrimi, humbja shihet si një moment dobësimi për qeverinë, që tashmë përballet me sfida më të mëdha për të çuar përpara agjendën e saj reformuese.
Keqardhja e shprehur nga kryeministrja për “një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë” nënvizon peshën politike të këtij rezultati, i cili mund të ndikojë në raportet e forcave dhe në besimin e publikut ndaj qeverisë në vijim.
Meloni:
Sovraniteti i përket popullit dhe italianët sot janë shprehur qartë. Qeveria bëri atë që kishte premtuar: të çonte përpara një reformë të drejtësisë që ishte e shkruar në programin tonë zgjedhor. Ne e mbështetëm deri në fund dhe më pas ia rikthyem zgjedhjen qytetarëve. Dhe qytetarët vendosën.
Dhe ne, si gjithmonë, respektojmë vendimin e tyre.
Mbetet qartësisht keqardhja për një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë, por kjo nuk e ndryshon angazhimin tonë për të vazhduar me seriozitet dhe vendosmëri të punojmë për të mirën e kombit dhe për të nderuar mandatin që na është besuar.
Do të vazhdojmë përpara siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, me vendosmëri dhe mbi të gjitha me respekt ndaj Italisë dhe popullit të saj.
Gli italiani hanno deciso. E noi rispettiamo questa decisione.
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) March 23, 2026
Andremo avanti, come abbiamo sempre fatto, con responsabilità, determinazione e rispetto verso il popolo italiano e verso l’Italia. pic.twitter.com/KCBf19hO8d
© SYRI.net