G7 gati të mbrojë furnizimin global me energji, mbështet sigurinë në Ngushticën e Hormuzit

G7 gati të mbrojë furnizimin global me energji, mbështet sigurinë në Ngushticën e Hormuzit

20:29, 21/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 kanë deklaruar se janë “të gatshëm të marrin masat e nevojshme për të mbështetur furnizimin global me energji”.

Deklarata vjen pasi Irani është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, duke vënë në shënjestër vendet e Gjirit, infrastrukturën energjetike dhe trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe nga ku kalon një pjesë e madhe e furnizimeve botërore me naftë.

Ky angazhim pason vendimin e  Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për të hedhur në treg 400 milionë fuçi nga rezervat e naftës, me synim zbutjen e mungesave të krijuara nga konflikti.

Në deklaratë, liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian, dënojnë sulmet 'e pajustifikuara' të Iranit ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike në rajon.

Në deklarata thuhet se G7 mbështet të drejtën e vendeve viktima të sulmeve të pajustifikueshme nga Irani ose aleatët e tij për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe rikonfirmojnë mbështetjen e pakushtëzuar për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre.

Deklaratë e G7 mbi mbështetjen ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme

Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të G7-ës të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, shprehim mbështetjen tonë për partnerët në rajon përballë sulmeve të pajustifikueshme të kryera nga Republika Islamike e Iranit dhe aleatët e saj.

Ne dënojmë me vendosmërinë më të madhe sulmet e papërgjegjshme të regjimit kundër civilëve dhe infrastrukturës civile, përfshirë infrastrukturën energjetike, në Bahrein, Kuvajt, Oman, Katar, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe Irak, në përputhje me rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sulmet e pajustifikueshme të regjimit iranian kundër këtyre shteteve kërcënojnë gjithashtu sigurinë rajonale dhe globale. Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha sulmeve nga regjimi iranian.

Ripohojmë rëndësinë e mbrojtjes së rrugëve detare dhe sigurisë së lundrimit, përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe të gjitha rrugët ujore kritike të lidhura, si dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe stabilitetin e tregjeve energjetike.

Jemi të gatshëm të ndërmarrim masat e nevojshme për të mbështetur furnizimin global me energji, si lirimi i rezervave i vendosur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë më 11 mars. G7 ka theksuar vazhdimisht se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore dhe se duhet të ndalojë programin e tij të raketave balistike, t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në rajon dhe në mbarë botën dhe të ndalojë dhunën dhe represionin e rëndë kundër popullit të vet.

Ne mbështesim të drejtën e vendeve viktima të sulmeve të pajustifikueshme nga Irani ose aleatët e tij për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të mbrojtur qytetarët e tyre.

Rikonfirmojmë mbështetjen tonë të pakushtëzuar për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre. Dënojmë sulmet e rënda të kryera në Irak nga Irani dhe milicitë e tij kundër strukturave diplomatike dhe infrastrukturës energjetike, veçanërisht në rajonin e Kurdistanit irakian, si dhe kundër forcave amerikane dhe të koalicionit kundër ISIS-it dhe popullit irakian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco