Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së disa sanksioneve ndaj naftës iraniane, në përpjekje për të zbutur ndikimin e konfliktit me Iranin në tregjet globale të energjisë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi në një intervistë për Fox Business se një hap i tillë mund të rrisë furnizimin me naftë në tregjet ndërkombëtare, në një kohë kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm për shkak të goditjeve në transport dhe prodhim.
Nëse zbatohet, kjo lëvizje do të përbënte një kthesë të fortë nga politika e deritanishme amerikane ndaj Iranit, por me pasoja të paqarta. Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi në uljen e çmimeve mund të jetë i kufizuar, ndërsa ekziston rreziku që të ardhurat nga nafta të përfundojnë duke financuar regjimin iranian.
Para konfliktit, Kina ishte blerësi kryesor i rreth 4 milionë fuçive naftë në ditë nga Irani, duke e siguruar atë me çmime më të ulëta për shkak të sanksioneve. Sipas propozimit, një lehtësim i kufizimeve mund të devijojë furnizimet drejt vendeve të tjera si India, Japonia dhe Malajzia, duke detyruar Kinën të paguajë çmimin e tregut.
Bessent theksoi se SHBA po shqyrton heqjen e kufizimeve për rreth 140 milionë fuçi naftë që ndodhen aktualisht në det, çka mund të ndikojë në uljen e çmimeve globale për një periudhë të shkurtër prej 10 deri në 14 ditësh. Megjithatë, ai nuk dha detaje se si do të funksiononte kjo masë dhe nëse do të kishte mekanizma për të parandaluar që të ardhurat të rikthehen tek qeveria iraniane.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump nuk dha një përgjigje të qartë mbi këtë çështje, duke u shprehur se SHBA do të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme” për të mbajtur çmimet nën kontroll.
Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i kësaj mase do të jetë i kufizuar, pasi sasia e naftës në fjalë është e vogël në raport me kërkesën globale. Për më tepër, një pjesë e madhe e kësaj nafte tashmë ka arritur në treg përmes rrugëve alternative.
Propozimi vjen pas masave të tjera të SHBA-së për të rritur furnizimin, përfshirë hedhjen në treg të rezervave strategjike dhe lehtësimin e disa sanksioneve ndaj naftës ruse, një vendim që ka shkaktuar reagime në Evropë.
Situata energjetike globale është rënduar ndjeshëm, pasi konflikti ka ndërprerë rrugë kyçe të furnizimit, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon rreth një e pesta e naftës botërore. Ekspertët vlerësojnë se lufta ka nxjerrë jashtë tregut rreth 10% të furnizimit global me naftë.
© SYRI.net