FOX NEWS
Senatori Lindsey Graham, republikan nga Karolina e Jugut, tha se ka folur me presidentin Donald Trump për “mungesën e vullnetit” të aleatëve europianë për të ndihmuar SHBA-në në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se “nuk e ka parë kurrë [presidentin] kaq të zemëruar në jetën e tij”.
“E ndaj këtë zemërim duke pasur parasysh çfarë është në lojë,” shkroi Graham në një postim në X.
“Arroganca e aleatëve tanë për të sugjeruar se një Iran me armë bërthamore është pak shqetësues dhe se veprimi ushtarak për të ndaluar ajatollahun të sigurojë një bombë bërthamore është problemi ynë dhe jo i tyre, është përtej fyerjes,” vazhdoi senatori. “Qasja europiane për të frenuar ambiciet bërthamore të ajatollahut ka rezultuar një dështim i mjerë”.
Graham theksoi se pasojat e mungesës së ndihmës ndaj SHBA për të mbajtur funksional këtë kalim ujore jetik “do të jenë të gjera dhe të thella për Evropën dhe Amerikën”.
Ai shtoi se hezitimi i Evropës “më bën të vë në dyshim vlerën e këtyre aleancave”.
Ndërkohë, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social të martën se SHBA është informuar nga “shumica e aleatëve tanë të NATO” se nuk duan të përfshihen në operacione ushtarake në Lindjen e Mesme, megjithëse pothuajse të gjithë “janë dakord me atë që po bëjmë”.
“Nuk jam i befasuar nga veprimi i tyre, megjithatë, sepse gjithmonë e kam konsideruar NATO-n, ku ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për të mbrojtur këto vende, si një rrugë njëkahëshe — Ne i mbrojmë ata, por ata nuk bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në kohë nevoje,” thuhej në postimin e Trump.
Trump shtoi se forcat amerikane “fatmirësisht” kanë shkatërruar ushtrinë e Iranit, përfshirë marinën, forcat ajrore, mbrojtjen kundërajrore dhe radarët, si dhe drejtuesit e regjimit “në pothuajse çdo nivel”.
“Duke qenë se kemi pasur një sukses kaq të madh ushtarak, ne nuk ‘kemi më nevojë’, apo dëshirë, për ndihmën e vendeve të NATO-s — NUK NA U DESH KURRË! Po ashtu edhe Japonia, Australia apo Koreja e Jugut. Në fakt, duke folur si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm në botë, NE NUK KEMI NEVOJË PËR NDIHMËN E ASKUJT!” përfundon postimi.
© SYRI.net