Ndryshimet në Kushtetutë që forcojnë pushtetin e Presidentit të Kazakistanit, Kassim Zomart Tokayev, morën shumë mbështetje në referendum, sipas rezultateve paraprake të publikuara sot.
Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se mbi 87 përqind mbështetën ndryshimet në Kushtetutë në referendumin e djeshëm dhe se pjesëmarrja ishte më e lartë se 73 përqind.
Amendamentet në Kushtetutë bashkojnë dy dhomat e parlamentit të Kazakistanit dhe i japin presidentit të drejtën për të emëruar zyrtarë kyç të qeverisë me miratimin e parlamentit.
Ato përfshijnë gjithashtu rivendosjen e funksionit të zëvendëspresidentit të republikës.
Ndryshimet kushtetuese parashikojnë krijimin e një organi të ri, Këshillit Kombëtar, i cili do të ketë autoritetin për të nisur nisma ligjore dhe referendume.
Të gjithë anëtarët do të emërohen nga Presidenti i Republikës.
Iniciativa e dytë për të ndryshuar Kushtetutën brenda katër vjetësh u iniciua nga Tokaev, dhe disa vëzhgues thonë se kjo mund t’i hapë rrugën atij që të mbajë pushtetin pas përfundimit të mandatit të tij.
Tokayev, një ish-zyrtar sovjetik dhe diplomat kazak i cili më parë shërbeu në OKB, aktualisht është i kufizuar në një mandat shtatëvjeçar deri në vitin 2029.
Analistët besojnë se Tokayev mund ta përdorë referendumin për të ndryshuar kufizimin e mandatit presidencial.
Udhëheqësit e disa ish-republikave sovjetike, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin, kanë përdorur më parë kushtetuta të reja ose të ndryshuara për të rishikuar kufizimet ligjore të mandateve.
Tokayev, i cili ka ruajtur një ekuilibër delikat midis Moskës dhe Perëndimit që kur sanksionet u vendosën ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, i shpjegon ndryshimet kushtetuese si një përgjigje ndaj nevojës për të marrë vendime të shpejta në një botë që ndryshon me shpejtësi.
"Ky hap është jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht në periudhën aktuale kur situata gjeopolitike është e paqëndrueshme dhe sfidat e kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare po bëhen gjithnjë e më të prekshme", tha Tokaev javën e kaluar.
Opozita në Kazakistan nuk është e përfaqësuar në qeveri dhe nuk mund të ndikojë ndjeshëm në opinionin publik në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
Referendumi u mbajt në një kohë të vështirë për Kazakistanin, ku inflacioni arriti në 11.7 përqind në shkurt dhe rritjet e taksave nxitën pakënaqësinë publike.
Analistët mendojnë se problemet ekonomike mund të shkaktojnë një valë të re protestash të ngjashme me trazirat mbarëkombëtare në vitin 2022 të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit, të cilat vranë dhjetëra protestues dhe policë.
© SYRI.net