Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, raportohet se është transportuar me urgjencë drejt Moskës për trajtim mjekësor pas plagëve të marra në një sulm ajror.
Sipas raportimeve të Daily Mail, 56-vjeçari, i cili mori drejtimin e Iranit pas vdekjes së babait të tij Ajatollah Ali Khamenei më 28 shkurt, ishte në gjendje të rëndë dhe madje ishte raportuar në koma në Spitalin Universitar Sina në Teheran. Sulmi ajror, sipas mediave, kishte në shënjestër drejtuesit më të lartë të vendit dhe u atribuohet forcave amerikane dhe izraelite.
Plagët e marra në këmbë thuhet se e detyruan transferimin e tij jashtë vendit për ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Sipas të njëjtave burime, operacioni u realizua në Rusi dhe ishte organizuar me mbështetje të drejtpërdrejtë nga presidenti rus Vladimir Putin.
Ndërkohë, agjencia Al-Jarida raporton se operacioni i evakuimit ishte planifikuar në mënyrë sekrete dhe se Khamenei u transportua me një avion ushtarak rus drejt Moskës. Pas mbërritjes, ai thuhet se u dërgua në një nga rezidencat presidenciale të Putinit, ku iu nënshtrua operacionit që, sipas raportimeve, ka rezultuar i suksesshëm.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane apo ruse për këto raportime, ndërsa burimet e mediave pretendojnë se informacioni vjen nga persona të afërt me udhëheqjen iraniane.
© SYRI.net