Seuli zyrtar njoftoi se po shqyrton me kujdes thirrjen e presidentit amerikan Donald Trumpqë vendet aleate të dërgojnë anije luftarake për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve naftëmbajtëse përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas një zyrtari presidencial të Koresë së Jugut, autoritetet në Seul po i analizojnë me kujdes deklaratat e bëra nga Trump-i në rrjetet sociale dhe do ta shqyrtojnë çështjen në konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
"Ne po ndjekim nga afër komentet e presidentit Trump në rrjetet sociale dhe do ta shqyrtojmë me kujdes këtë çështje në konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara”, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse (AFP). Presidenca e Koresë së Veriut theksoi se komunikimi me Uashingtonin do të vazhdojë dhe vendimi do të merret vetëm pas një shqyrtimi të detajuar.
Japonia e rezervuar ndaj dërgimit të anijeve luftarake në rajon
Ndërkohë edhe Japonia u shpreh e kujdesshme lidhur me mundësinë e dërgimit të anijeve të saj luftarake në rajonin e Ngushticës së Hormuzit. Këshilltari i lartë për politikën i partisë në pushtet, Takayuki Kobayashi, deklaroi se pragu për marrjen e një vendimi të tillë është "jashtëzakonisht i lartë”.
Duke folur në programin e debatit politik të radio-televizionit publik japonez NHK, Kobayashi tha se, sipas ligjeve aktuale japoneze, dërgimi i anijeve të marinës ushtarake në rajon është një çështje shumë e ndjeshme. "Ligjërisht nuk e përjashtojmë mundësinë, por duke pasur parasysh konfliktin që aktualisht po vazhdon, kjo është diçka që duhet shqyrtuar me shumë kujdes,” u shpreh ai.
Kufizime kushtetuese
Kufizimet burojnë nga kushtetuta e Japonisë e vitit 1947. Këto kufizime që u përfshinë në kushtetutën japoneze nën ndikimin e SHBA-së pas Luftës II Botëroe, theksojnë edhe heqjen dorë nga lufta dhe ruajtjen e qëndrimit pacifist që Japonia mban zyrtarisht. Kjo përbën një pengesë të madhe për kërkesat e Trump drejtuar disa vendeve aleate, përfshirë Japoninë, që të ndihmojnë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Situata në këtë rrugë detare me tepër të rëndësishme është përkeqësuar ndjeshëm prej luftës mes SHBA-së dhe Izraelitnga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, që e ka bllokuar kalimin në ngushticë, duke ndërprerë transportin e karburanteve.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, e cila pritet të takohet me Trumpin këtë javë në Uashington, ka deklaruar se "ende nuk është vendosur asgjë” lidhur me dërgimin e anijeve luftarake japoneze në Lindjen e Mesme për të shoqëruar anijet naftëmbajtëse.
Japonia është importuesi i pestë më i madh i naftës në botë, dhe rreth 70 për qind e furnizimit të saj kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Për këtë arsye stabiliteti i kësaj rruge detare është jetik për ekonominë e vendit./ DW/
© SYRI.net