Stuart A. Thompson dhe Alexander Cardia - Nga 'The New York Times'
Një valë e madhe videosh dhe imazhesh të rreme të gjeneruara nga inteligjenca artificiale ka përfshirë rrjetet sociale gjatë javëve të para të luftës në Iran.
Video që tregojnë shpërthime të mëdha që nuk kanë ndodhur kurrë, rrugë qytetesh të shkatërruara që nuk janë sulmuar kurrë ose njerëz që protestojnë kundër luftës dhe që nuk ekzistojnë — kanë shtuar kaosin dhe konfliktin online
The Neë York Times ka identifikuar mbi 110 imazhe dhe video unike të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale gjatë dy javëve të fundit mbi luftën në Lindjen e Mesme. Këto falsifikime mbulonin çdo aspekt: përshkruajnë gabimisht izraelitë që bërtasin dhe fshihen ndërsa shpërthimet shkatërrojnë Tel Avivin, iranianë që vajtonin të vdekurit e tyre dhe anije ushtarake amerikane të bombarduara me raketa dhe torpedo.
Ato janë parë miliona herë përmes rrjeteve si X, TikTok dhe Facebook, dhe shumë më tepër herë brenda aplikacioneve private të mesazheve që janë të njohura në rajon dhe në mbarë botën.
The Times identifikoi përmbajtjen e Inteligjencës Artificiale duke kontrolluar për shenja të qarta — si përshkrime të ndërtesave që nuk ekzistojnë, tekst i çrregullt dhe sjellje ose lëvizje të çuditshme. Postimet u kontrolluan gjithashtu me mjete të ndryshme për detektimin e IA-së dhe u krahasuan me raportimet e organizatave të lajmeve.
Një valë e sofistikuar e re e mjeteve të Inteligjencës Artificiale e bën të mundur krijimin e këtyre falsifikimeve, duke lejuar pothuajse çdo person të krijojë simulime të luftës që mund të mashtrojnë syrin e lirë me kosto minimale ose aspak kosto. Përmbajtje të ngjashme janë përhapur edhe në konflikte të tjera, përfshirë luftën midis Ukrainës dhe Rusisë. Por kjo luftë ka fronte të shumta, dhe kjo ka çuar në një përhapje të madhe të përmbajtjes së rreme që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan për herë të parë Iranin, sipas ekspertëve.
“Edhe krahasuar me fillimin e luftës në Ukrainë, gjërat tani janë shumë të ndryshme,” tha Marc Owen Jones, profesor asociativ i analizës mediatike në Universitetin Northëestern në Katar. “Ne ndoshta po shohim shumë më shumë përmbajtje të lidhur me Inteligjencën Artificiale tani sesa kemi parë ndonjëherë më parë.”
37 imazhe dhe video të rreme që paraqesin në mënyrë të pavërtetë luftimet


5 imazhe dhe video të rreme që paraqesin në mënyrë të pavërtetë përgatitje për luftë.

8 imazhe dhe video të rreme që paraqesin imazhe shkatërrimi nga lufta por që janë të pavërteta

43 meme të përdorura nga inteligjenca artificiale.



Përmbajtja e rreme është shndërruar në një armë të fuqishme informuese për Teheranin, ndërsa ai përpiqet të trondisë emocionet e publikut ndaj luftës duke paraqitur skena shkatërrimi në të gjithë rajonin.
Shumica e videove të krijuara me inteligjencë artificiale për luftën promovojnë narrativa pro-iraniane, shpesh për të treguar në mënyrë të rreme epërsinë dhe sofistikimin ushtarak të Iranit, sipas një studimi mbi aktivitetin online nga kompania e inteligjencës së rrjeteve sociale Cyabra.
“Përdorimi i imazheve të krijuara me IA të vendeve në Gjirin Persik — që shfaqen duke u djegur ose dëmtuar — bëhet edhe më i rëndësishëm në strategjinë e Iranit,” tha Marc Oëen Jones. “Sepse kjo u jep njerëzve ndjesinë se kjo luftë është më shkatërruese dhe ndoshta më e kushtueshme për aleatët e Amerikës sesa mund të jetë në të vërtetë.”
Në një nga videot e rreme më të shpërndara në internet, është një skenë, që duket sikur është filmuar me telefon nga ballkoni i një apartamenti në Tel Aviv. Në video tregohet horizonti i qytetit duke u goditur nga raketa, ndërsa në plan të parë shihet një flamur izraelit.
Videoja është parë miliona herë në platforma të ndryshme dhe është shpërndarë nga influencera të rrjeteve sociale dhe faqe lajmes, sipas një analize të aktivitetit në rrjetet sociale bërë nga The New York Times.
Ekspertët thonë se flamuri izraelit në plan të parë ishte një nga shenjat e qarta që videoja ishte krijuar me inteligjencë artificiale.

Për të gjeneruar video të tilla, krijuesit që përdorin mjete të IA-së zakonisht shkruajnë udhëzime të thjeshta me tekst.
Më pas, mjetet e IA-së shpesh shtojnë elemente si flamuri izraelit ose Ylli i Davidit për të përmbushur këtë kërkesë. Edhe disa video të tjera të krijuara me IA përfshinin flamurin izraelit.

Ndërkohë në internet po shpërndahen edhe shumë pamje reale nga lufta, pasi telefonat celularë dhe rrjetet sociale ofrojnë një pamje pothuajse në kohë reale të konfliktit. Megjithatë, shumë prej këtyre imazheve dhe videove reale janë më të qeta dhe më pak dramatike se skenat e krijuara nga mjetet e inteligjencës artificiale.
Pamjet e vërteta të goditjeve me raketa zakonisht filmohen nga larg, shpesh gjatë natës, ku raketat shihen vetëm si drita të ndritshme në horizont. Shpërthimet në videot reale shfaqen më shpesh si re tymi, jo si topa zjarri, ndërsa kalimtarët nxitojnë të filmojnë skenën vetëm pasi municionet kanë goditur objektivin.
Në kontrast, disa video dhe imazhe të krijuara me IA. e paraqesin luftën në mënyrë të rreme si një film aksioni i ekzagjeruar i Hollywood-it: me shpërthime gjigante që krijojnë re në formë kërpudhe, shpërthime zanore që përhapen mbi qytete të paidentifikuara dhe raketa supersonike që lënë gjurmë të ndritshme në qiell. Në disa raste, pamjet reale përmirësohen me mjete të IA-së për t’i bërë shpërthimet të duken më të mëdha dhe më shkatërruese, duke e zbehur edhe më shumë kufirin mes asaj që është reale dhe asaj që është e rreme.
Sipas ekspertëve, këto pamje të krijuara me IA kanë krijuar në thelb një realitet alternativ më të përshtatshëm për rrjetet sociale, ku përmbajtja e ekzagjeruar ka më shumë gjasa të tërheqë audiencë.
Në një rast të veçantë, falsifikimet e krijuara me inteligjencë artificiale patën një rol shumë të madh në debatin online dhe mes qeverive lidhur me fatin e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln, e cila ishte dislokuar në rajon.
Më 1 mars, Garda Revolucionare e Islamit sugjeroi fillimisht se kishte arritur ta godiste me sukses anijen, madje duke lënë të kuptohej se ajo mund të ishte fundosur. Kjo shkaktoi një valë videosh dhe imazhesh të rreme të krijuara me IA që paraqisnin anijen ose anije të ngjashme me të duke u përfshirë nga flakët.
Përdorues iranianë në internet i festuan këto pamje si provë se kundërofensiva e vendit të tyre po trondiste aleancën SHBA–Izrael.
Më vonë, SHBA deklaroi se sulmi kishte dështuar dhe se anija nuk kishte pësuar dëmtime.

Dhjetëra imazhe dhe video të tjera të krijuara me inteligjencë artificiale nuk përpiqeshin aspak të fshihnin se ishin të rreme. Përkundrazi, ato vepronin si një formë e re propagande digjitale, që i jepte jetë vizuale argumenteve politike që zakonisht paraqiten nga qeveritë ose nga aparatet e tyre propagandistike.
Këto përfshinin paraqitje lavdëruese të liderëve botërorë si figura të fuqishme, ose paraqitje çnjerëzore të liderëve të opozitës.
Një seri videosh qartësisht fiktive paraqiste shkollën fillore Shajarah Tayyebeh, e cila u shkatërrua nga SHBA në një goditje të dukshme të gabuar me raketë më 28 shkurt, sipas një hetimi paraprak. Sipas zyrtarëve iranianë, të paktën 175 persona u vranë, shumica e tyre fëmijë.

Videot e krijuara me IA zhvilloheshin si filma të shkurtër, duke treguar vajza nxënëse që luanin jashtë, përpara se një avion luftarak amerikan të lëshonte raketa.
Kompanitë e rrjeteve sociale kanë bërë shumë pak për të luftuar përhapjen masive të videove të krijuara me inteligjencë artificiale, që përmbytën platformat e tyre vitin e kaluar pasi OpenAI publikoi Sora, një aplikacion që gjeneron video dhe që i lejon kujtdo të krijojë imazhe false realiste përmes një aplikacioni të thjeshtë.
The Neë York Times ka paditur në vitin 2023 OpenAI dhe Microsoft, duke i akuzuar për shkelje të të drejtave të autorit lidhur me përdorimin e përmbajtjes së lajmeve në sistemet e inteligjencës artificiale. Të dyja kompanitë i kanë mohuar këto pretendime.
Megjithëse videot e krijuara nga shumë mjete të IA-së mund të përmbajnë shenja dalluese — si filigranë të dukshëm ose të padukshëm që i identifikojnë si të rreme — këto shenja janë të lehta për t’u hequr ose për t’u fshehur. Vetëm pak nga videot e identifikuara nga The Neë York Times përmbanin filigranë të tillë.
Platforma X, në pronësi të Elon Musk, e cila ka mbajtur një qasje mjaft tolerante ndaj dezinformimit, njoftoi javën e kaluar se do të pezullojë për 90 ditë të ardhurat nga platforma për llogaritë që publikojnë përmbajtje të gjeneruar me IA mbi “konflikte të armatosura” pa e etiketuar si të tillë. Qëllimi është të pengohet përfitimi financiar nga përmbajtje të rreme.
Megjithatë, shumë nga llogaritë e lidhura me Iranin të identifikuara nga Cyabra dukeshin më të përqendruara në përhapjen e mesazheve sesa në përfitimin financiar.
“Kjo është një fushë që Irani përpiqet ta shfrytëzojë dhe kjo është një nga arsyet pse përmbajtja është kaq e madhe në sasi,” tha Valerie Ëirtschafter, studiuese e politikës së jashtme dhe inteligjencës artificiale në Institutin Brookings. “Në fakt, është një mjet lufte.”
© SYRI.net