Lufta me Iranin ngre kompaninë koreano-jugore të mbrojtjes që ofron një rival më të lirë se sistemet Patriot

Lufta me Iranin ngre kompaninë koreano-jugore të mbrojtjes që ofron një rival më të lirë se sistemet Patriot

10:59, 12/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një kompani koreano-jugore e specializuar në mbrojtjen nga raketat është bërë përfituese e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Kërkesa për sistemin më të lirë të LIG Nex1 ka rritur vlerën e aksioneve të saj dhe ka tërhequr vëmendjen te sektori i fortë i mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Produkti kryesor i kompanisë është Cheongung-II (M-SAM II), një sistem mbrojtjeje nga raketat me rreze të mesme. Ai është shitur tashmë në Arabinë Saudite, Irak dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është shumë më i lirë se sistemet rivale.

Ky sistem kryen një rol të ngjashëm me interceptorët Patriot PAC-3 të përdorur nga SHBA dhe aleatët e saj. Sipas Yoo Yong-won nga komiteti i mbrojtjes në parlamentin e Koresë së Jugut, ai ka treguar një shkallë suksesi prej 96% kundër sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani.

Deri këtë muaj, Cheongung-II nuk ishte testuar në një luftë reale. Tani që është provuar në praktikë, “kërkesa nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe nga Europa do të rritet shumë”, tha Kim Ho-sung, profesor i inxhinierisë së avancuar të mbrojtjes në Universitetin Kombëtar të Changwon-it.

Aksionet e kompanisë LIG Nex1 janë rritur gati 47% që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, në kontrast të fortë me rënien e tregut më të gjerë të aksioneve në Korenë e Jugut.

Sipas Kim, rëndësia në rritje e sistemeve kundër raketave ka qenë në favor të kompanisë.

“Lufta me Iranin është kryesisht një luftë me raketa dhe mbrojtje kundër tyre, sepse politikanët hezitojnë të dërgojnë trupa tokësore nga frika e humbjeve të mëdha njerëzore. Prandaj rëndësia e sistemeve kundër raketave po rritet, ndërsa Irani vazhdon të lëshojë valë raketash dhe dronësh,” tha ai.

Në një raport të fundit, analisti Chae Woon-saem nga Hana Securities theksoi se rezervat e raketave mund të shterojnë shpejt.

“Irani besohet se ka lëshuar qindra raketa balistike, dhe zakonisht duhen disa raketa interceptuese për të ndalur vetëm një raketë balistike,” tha ai.

Këto raketa interceptuese janë shumë të shtrenjta dhe prodhohen në sasi të kufizuara. Kompania amerikane Lockheed Martin, që prodhon Patriot PAC-3, prodhoi vetëm rreth 620 të tilla vitin e kaluar, me një kosto rreth 3.7 milionë dollarë secila.

Koha e dorëzimit për sistemin PAC-3 mund të jetë rreth katër deri në gjashtë vjet. Ndërsa LIG Nex1, edhe pse ka shumë porosi në pritje, po rrit kapacitetin dhe mund të shtojë prodhimin brenda 9 deri në 12 muaj nëse punon me dy turne, sipas analistit të Nomura, Eon Hwang. Për më tepër, raketa Cheongung-II kushton rreth 1.1 milionë dollarë, shumë më pak se rivalët.

“Kompanitë koreane të mbrojtjes janë të afta në përmbushjen e afateve dhe ofrojnë vlerë të mirë për paratë,” tha Moon Sung-mook, studiues në Institutin Korean për Strategjinë Kombëtare.

Industria e mbrojtjes së Koresë së Jugut, e quajtur shpesh “K-defence”, është rritur shumë vitet e fundit falë mbështetjes së qeverisë dhe rritjes globale të armatimit, veçanërisht në Europë dhe Lindjen e Mesme.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), shpenzimet globale për mbrojtjen arritën në 2.7 trilionë dollarë në vitin 2024, rreth 9.4% më shumë se një vit më parë.

Korea e Jugut është bërë eksportuesi i nëntë më i madh i armëve në botë, me rreth 3% të tregut global, sipas SIPRI. Gati 60% e eksporteve të armëve koreane mes viteve 2021 dhe 2025 kanë shkuar në Poloni, e cila ka rritur shumë shpenzimet ushtarake pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në një marrëveshje të vitit 2022, Polonia bleu armë koreane me vlerë 22 miliardë dollarë, përfshirë tanke Hyundai Rotem, obusë K9 dhe raketa Chunmoo nga Hanwha Aerospace, si dhe avionë luftarakë FA-50 nga Korea Aerospace Industries. Vitin e kaluar, Varshava porositi edhe 180 tanke të tjera Rotem me vlerë 6.5 miliardë dollarë.

Këto marrëveshje me Poloninë po i hapin rrugë kompanive koreane në një Europë që po riarmatoset. Norvegjia nënshkroi në shkurt një kontratë prej 2 miliardë dollarësh për sistemin raketor Chunmoo, duke e zgjedhur atë në vend të sistemit amerikan Himars. Edhe Estonia ka rënë dakord së fundmi të blejë lëshues raketash Chunmoo me vlerë 290 milionë euro.

Aksionet e Hanwha Aerospace janë rritur nga 187,500 won në 1,435,000 uon gjatë vitit të fundit. Prodhuesi i mjeteve të blinduara Hyundai Rotem është rritur më shumë se gjashtë herë në të njëjtën periudhë, ndërsa aksionet e prodhuesit të avionëve luftarakë Korea Aerospace Industries janë trefishuar.

Suksesi i Cheongung-II tregon gjithashtu se kompanitë koreane të mbrojtjes po funksionojnë gjithnjë e më shumë si një ekosistem i përbashkët. Një bateri Cheongung-II përbëhet nga radar, një qendër kontrolli dhe katër lëshues raketash. LIG Nex1 është përgjegjëse për sistemin dhe raketat interceptuese, ndërsa Hanwha Systems furnizon radarët dhe Hanwha Aerospace, kompania më e madhe koreane e mbrojtjes, prodhon lëshuesit. / FT – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco