Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Axios në një intervistë të shkurtër telefonike të mërkurën se lufta me Iran do të përfundojë “së shpejti”, pasi sipas tij “praktikisht nuk ka mbetur më asgjë për t’u goditur”.
Gjatë bisedës pesëminutëshe Trump tha se lufta do të përfundojë në momentin kur të dojë ai.
Edhe pse Trump sinjalizon publikisht se operacioni i tij ka arritur kryesisht objektivat, zyrtarë amerikanë dhe izraelitë thonë se brenda strukturave nuk ka ende një direktivë se kur mund të ndalojnë luftimet.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të mërkurën se lufta do të vazhdojë “pa asnjë afat kohor, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrijmë të gjitha objektivat dhe ta fitojmë në mënyrë vendimtare fushatën”.
Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë thonë se po përgatiten për të paktën edhe dy javë të tjera sulmesh në Iran.
Trump konfirmoi për Axios se sulmet amerikane të së martës shkatërruan 16 anije që përdoren për vendosjen e minave dhe penguan planet iraniane.
Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, tha në një mesazh video të mërkurën se misioni i ushtrisë amerikane është të eliminojë aftësinë e Iranit për të projektuar forcë dhe për të kërcënuar transportin detar në ngushticën e Hormuzit.
“Forcat amerikane vazhdojnë të godasin me fuqi shkatërruese regjimin iranian. Fuqia luftarake e SHBA-së po rritet, ndërsa ajo e Iranit po dobësohet,” tha Cooper, duke shtuar se sulmet iraniane me raketa dhe dronë kanë rënë ndjeshëm.
“Lufta po shkon shumë mirë. Jemi shumë përpara afatit të parashikuar. Kemi shkaktuar më shumë dëme sesa mendonim, madje edhe brenda periudhës fillestare gjashtëjavore,” i tha Trump Axios.
Ai shtoi se armiqësia e Iranit nuk kufizohej vetëm ndaj Izraelit dhe SHBA-së, por shtrihej edhe ndaj shteteve të Gjirit në rajon.
“Ata synonin pjesën tjetër të Lindjes së Mesme. Po paguajnë për 47 vite vdekjeje dhe shkatërrimi që kanë shkaktuar. Kjo është hakmarrje. Nuk do ta kenë kaq të lehtë të shpëtojnë,” tha Trump për Axios.
© SYRI.net