Nga Jonathan Sacerdoti, SPECTATOR
Gati katër ditë pasi Irani emëroi Mojtaba Khamenein si “Liderin Suprem” të ardhshëm, vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur. Kleriku 56-vjeçar, dhe djali i Ali Khameneit, nuk është shfaqur publikisht, nuk ka mbajtur fjalim dhe nuk ka publikuar asnjë deklaratë të shkruar që nga shpallja e tij.
Mediet shtetërore iraniane kanë përdorur vetëm pamje arkivore kur e prezantojnë atë para publikut.
Raportet në mediet shtetërore iraniane sugjerojnë se Mojtaba mund të jetë plagosur gjatë sulmeve të vazhdueshme amerikano-izraelite. Televizioni shtetëror e ka përshkruar atë si një veteran lufte të plagosur.
Ndërkohë, një fjalim inaugurues, që i atribuohet Mojtabës, është përhapur gjerësisht në internet, por videoja është tallur shumë, pasi u identifikua si një klip i krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale.
Paqartësia rreth udhëheqësit të ri vjen ndërkohë që lufta vazhdon të përshkallëzohet brenda vetë Iranit. Forcat izraelite kryen një valë të madhe sulmesh në të gjithë vendin të martën, me goditje në Teheran, Tabriz, Shiraz dhe Isfahan. Zyrtarët izraelitë thanë se u goditën më shumë se 400 objektiva të regjimit.
Edhe SHBA dukej se nuk kishte ndërmend të ngadalësonte ofensivën e saj. Në një konferencë për shtyp në Pentagon, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se: “Sot do të jetë dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit, më shumë avionë luftarakë, më shumë bombardues dhe më shumë goditje”.
I dërguari special amerikan, Steve Witkoff, tha se ai dhe Jared Kushner mund të udhëtojnë drejt Izraelit javën e ardhshme për të koordinuar politikën ndaj Iranit, megjithëse theksoi se vizita ende nuk është finalizuar.
“Me shumë mundësi do ta bëjmë atë udhëtim javën e ardhshme, por për momentin nuk jemi të sigurt,” tha Witkoff në një intervistë për CNBC, duke mohuar raportet se një udhëtim i planifikuar më herët për këtë javë ishte anuluar për shkak të sulmeve izraelite ndaj objekteve iraniane të prodhimit të naftës.
Ai këmbënguli se SHBA dhe Izraeli ndajnë të njëjtat objektiva lufte, duke paralajmëruar se situata e sigurisë së Izraelit lë shumë pak hapësirë për gabime. “Izraeli është një vend që mund të shkatërrohet nga një bombë e vetme. Një bombë e vetme mund ta nxjerrë jashtë loje,” tha ai. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë “shkatërruar pothuajse të gjithë kapacitetin e tyre të pasurimit dhe të konvertimit,” ndërsa theksoi se Irani ende zotëron rreth 460 kilogramë uranium të pasuruar në 60 për qind — një nivel që, sipas tij, nuk është i nevojshëm për qëllime civile.
Irani vazhdon të kundërpërgjigjet në gjithë rajonin. Të martën u raportuan shpërthime në Arabinë Saudite, Dubai, Katar dhe Bagdad, ndërsa kanalet iraniane pretenduan se raketa balistike janë lëshuar drejt bazave amerikane në Irak. Në Kuvajt, Shtetet e Bashkuara raportuan se një ushtar amerikan u vra gjatë sulmeve iraniane.
Shqetësimet ndërkombëtare po rriten edhe për Ngushticën e Hormuzit, rruga detare jetike përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Burime të inteligjencës amerikane thonë se Irani ka filluar të vendosë mina detare në këtë ngushticë. Deri tani raportohet se janë vendosur disa dhjetëra mina, ndërsa Irani ruan ende pjesën më të madhe të kapacitetit për vendosjen e tyre.
Donald Trump reagoi me një paralajmërim në Truth Social, duke kërkuar që minat të hiqen menjëherë dhe duke paralajmëruar se “nëse nuk hiqen, do t’i heqim ne”. Disa orë më vonë ai pretendoi se “10 anije ose mjete detare për vendosjen e minave, që nuk ishin aktive, u goditën dhe u shkatërruan plotësisht brenda orëve të fundit,” duke shtuar shkurt: “Do të ketë të tjera”.
Brenda Izraelit, lufta vazhdon të ndikojë në popullsinë civile, me raketa dhe dronë të vazhdueshëm që detyrojnë njerëzit të strehohen gjatë gjithë ditës. Autoritetet izraelite thonë se 12 persona janë vrarë dhe rreth 200 janë plagosur — përfshirë shtatë në gjendje të rëndë — nga sulmet me raketa të Iranit.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rreth gjysma e raketave të lëshuara drejt Izraelit mbajnë koka luftarake me thërrmim, të cilat shpërndajnë bomba më të vogla në ajër dhe përhapin copëza në një rreze rreth dhjetë kilometra. Një raketë e tillë goditi një kantier ndërtimi në Yehud, ku dy punëtorë, që nuk ndodheshin në hapësira të mbrojtura, u vranë. Lëshimet e raketave nga Irani vazhduan në mënyrë sporadike gjatë gjithë ditës, megjithëse zyrtarët izraelitë thonë se Teherani duket se po has vështirësi në koordinimin e sulmeve të mëdha.
Në të njëjtën kohë, fronti verior mbetet aktiv. Hezbollah ka vazhduar të qëllojë raketa kundërtank dhe raketa me rreze të shkurtër drejt trupave izraelite dhe komuniteteve në veri. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme në të gjithë Libanin jugor, duke shënjestruar infrastrukturën komanduese të Hezbollahut dhe rrjetet financiare të lidhura me organizatën. Zyrtarët izraelitë thonë se avionët luftarakë kanë goditur objekte të lidhura me rrjetin financiar Al-Qard al-Hassan, që sipas Izraelit ndihmon në financimin e aktiviteteve ushtarake të Hezbollahut.
Qeveria izraelite ka ndërmarrë gjithashtu hapa për të financuar përpjekjen e luftës. Kryeministri Benjamin Netanyahu e përshkroi konfliktin si një fushatë kundër një armiku që kërkon shkatërrimin e Izraelit. “Ne jemi në një fushatë me një armik të pamëshirshëm që dëshiron të na shkatërrojë,” tha ai. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, konfirmoi se dhjetëra miliarda shekelë do t’i shtohen buxhetit të mbrojtjes për të financuar luftën. “Ky nuk është një shpenzim,” tha Smotrich. “Ky është një investim”. Për të miratuar buxhetin e kohës së luftës, qeveria ka shtyrë disa iniciativa të debatueshme të brendshme, përfshirë legjislacionin mbi rekrutimin ushtarak. “Lufta është kohë për unitet,” shtoi ai.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, tha se Teherani “sigurisht që nuk po kërkon një armëpushim”, duke shtuar se “agresori duhet goditur fort që të marrë një mësim dhe të mos mendojë më kurrë të sulmojë Iranin”.
Nga pikëpamja strategjike, konflikti tashmë po riformëson rajonin. Vendimi i Hezbollahut për të hapur një front verior pasqyron strategjinë më të gjerë rajonale të Iranit, ndërsa pasiguria e brendshme rreth udhëheqjes së Mojtaba Khameneit mund të sinjalizojë paqëndrueshmëri më të thellë brenda regjimit iranian. Lufta nuk tregon ende shenja se do të ngadalësohet.
© SYRI.net