Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë propozuar mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë javën e ardhshme, me ndërmjetësimin amerikan, tha sot Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke specifikuar se bisedimet mund të mbahen në Zvicër ose Turqi.
"Ne presim që takimi të zhvillohet javën e ardhshme. Është një propozim amerikan, por, për të qenë i sinqertë, do të shohim se çfarë do të ndodhë në Lindjen e Mesme deri atëherë. Takimi mund të zhvillohet në Zvicër ose Turqi", tha Zelensky gjatë një konference për shtyp online.
Më herët gjatë ditës së sotme, Presidenti i Ukrainës shkroi në platformën X se pati një bisedë telefonike me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe saktësoi se Turqia shprehu gatishmërinë e saj për të pritur takimin e ri trepalësh në një përpjekje për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se një takim trepalësh midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar fillimisht për këtë javë, është shtyrë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
“Për momentin, prioriteti dhe e gjithë vëmendja e partnerëve është përqendruar në situatën në Iran, prandaj takimi, i planifikuar për këtë javë, është shtyrë me sugjerimin e SHBA-së”, deklaroi Zelensky dhe saktësoi se Ukraina mbetet e gatshme të takohet në çdo kohë me qëllim që t’i japë fund konfliktit.
© SYRI.net