Nga Florian Kain, BILD
Vizitë e rëndësishme në kohë kur po zhvillohen disa luftëra njëkohësisht: Kancelari federal gjerman, Friedrich Merz (70 vjeç) takohet me presidentin amerikan Donald Trump (79 vjeç) në Shtëpinë e Bardhë. Temat kryesore: lufta me Iranin, lufta në Ukrainë dhe tregtia ndërkombëtare nën presionin e tarifave të Trump.
Që në fillim, presidenti amerikan i bëri lajka kancelarit, duke e quajtur “një mikun tim”, i cili po e viziton “në këto kohë interesante”. Merz është “shumë popullor” dhe po bën “një punë shumë të shkëlqyer”.
Trump flet për sulme të reja ndaj Iranit
Sa i përket Iranit, Merz sinjalizoi menjëherë: “Jemi dakord që ky regjim i tmerrshëm në Teheran duhet të hiqet”. Trump deklaroi se vendi nuk ka më mbrojtje ajrore. Gjithashtu, sipas tij, është eliminuar Udhëheqësi Suprem. Një goditje tjetër ndaj udhëheqjes së re është realizuar sot. Trump: “Do të vazhdojmë.”
U përmendën edhe problemet ekonomike si pasojë e luftës. “Natyrisht që kjo (lufta me Iranin, shënim i redaksisë) prek ekonominë tonë,” tha Merz. Kjo vlen sidomos për çmimet e naftës dhe gazit. Prandaj ai shpreson që lufta të përfundojë sa më shpejt. Trump premtoi: “Kur të mbarojmë me Iranin, çmimet e naftës do të bien në një nivel që nuk kanë qenë kurrë më parë”.
Batuta për Merz lidhur me tarifat
Merz është përfaqësuesi i parë evropian qeveritar që takohet me Trump që nga fillimi i luftës me Iranin të shtunën. Një tjetër temë e rëndësishme për kancelarin: politika e tarifave të Trump dhe mbështetja e ardhshme për Ukrainën.
Kur u diskutuan tarifat, Trump bëri shaka: “Si duhet ta trajtojmë Gjermaninë? Mendoj se duhet ta godasim Gjermaninë shumë, shumë fort”. Të gjithë qeshën. Më pas Trump u përkul drejt Merz dhe i ra lehtë në gju. Merz buzëqeshi me siklet, por nuk lëvizi.
Reporteri i BILD në Uashington tha: “Trump ishte në humor shumë të mirë.”
Për ish-kancelaren Angela Merkel (CDU), presidenti amerikan nuk kishte shumë fjalë të mira. Ka pasur “mosmarrëveshje” me të. Trump: “I kam thënë: Po i bëni dëm vendit tuaj me emigracionin dhe po i bëni dëm vendit tuaj me politikën energjetike”.
Ndërsa Merz, sipas tij, është “pothuajse e kundërta” e paraardhëses së tij në të dyja çështjet. Ai e konsideron kancelarin e ri një “udhëheqës të shkëlqyer” dhe theksoi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Gjermanisë janë të forta.
Ky është vizita e tretë e kancelarit në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht ai udhëtoi në qershor të vitit të kaluar për vizitën e tij të parë zyrtare në Uashington. Në mesin e gushtit mori pjesë atje, së bashku me liderë të tjerë evropianë, në një samit për Ukrainën.
© SYRI.net