Presidenti Donald Trump deklaroi sot se SHBA-ja ka “asgjësuar” marinën, forcën ajrore dhe sistemet e radarëve të Iranit. Trump i bëri këto komente gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë, përpara një takimi dypalësh me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Ata nuk kanë më marinë, është asgjësuar. Nuk kanë më forcë ajrore, është asgjësuar. Nuk kanë më sisteme zbulimi ajror, ato janë asgjësuar,” tha Trump. “Radari i tyre është asgjësuar dhe, pothuajse gjithçka është asgjësuar.”
Merz konfirmoi se SHBA-ja dhe Gjermania janë “në të njëjtën linjë” sa i përket domosdoshmërisë për largimin e regjimit aktual iranian. Trump shtoi se Gjermania “po na ndihmon” në kuadër të Operacionit “Epic Fury”.
I pyetur nga një gazetar: “Cili është skenari më i keq që keni parashikuar për Iranin?”, Trump u përgjigj:
“Nuk e di nëse ka një skenar më të keq. Edhe nga pikëpamja ushtarake, ata ende po hedhin disa raketa, por në një moment nuk do të jenë më në gjendje ta bëjnë as këtë, sepse ne po godasim të gjitha bazat e tyre,” tha ai.
“Po godasim të gjithë stokun e raketave të tyre. Ata ndërtuan shumë raketa gjatë viteve të fundit. Kishin shumë. Kanë lëshuar shumë prej tyre. Dhe ne po asgjësojmë shumë,” shtoi Trump.
Sipas tij, “skenari më i keq” do të ishte që, pas gjithë kësaj ndërhyrjeje, pushtetin ta merrte dikush po aq i keq sa udhëheqësi i mëparshëm.
“Supozoni se bëjmë gjithë këtë dhe pastaj dikush merr pushtetin që është po aq i keq sa personi i mëparshëm, apo jo? Kjo mund të ndodhë. Nuk duam që kjo të ndodhë. Ndoshta ky do të ishte më i keqi. Kalon gjithë kjo dhe pas pesë vitesh kupton se vendose dikë që nuk ishte më i mirë,” u shpreh ai.
Trump shtoi se do të dëshironte që në Iran të vinte në pushtet dikush “që do ta rikthente vendin për popullin”, duke theksuar se situata aktuale është e rrezikshme për shkak të bombardimeve dhe se protestat nuk janë të sigurta në këto kushte.
© SYRI.net