Grupi i armatosur libanez, Hezbollah është zotuar të përmbushë detyrën e tij në “përballjen me agresionin” pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara që vranë udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei .
Në një deklaratë të dielën, grupi i lidhur me Iranin shprehu ngushëllime për Khamenein, i cili u vra së bashku me udhëheqës të tjerë iranianë në një sulm të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit herët të shtunën.
“Fakti që agresioni kriminal amerikan dhe sionist shënjestroi udhëheqësin tonë, udhëheqësin e Kombit, Imam Khamenei, së bashku me një grup udhëheqësish, zyrtarësh dhe bijsh të pafajshëm të popullit iranian, përfaqëson kulmin e kriminalitetit”, tha grupi.
“Ne do ta përmbushim detyrën tonë në përballjen me agresionin, të bindur në fitoren, udhëzimin dhe mbështetjen e Allahut… Pavarësisht sa të mëdha janë sakrificat, ne nuk do ta braktisim fushën e nderit dhe rezistencës, as përballjen kundër tiranisë amerikane dhe kriminalitetit sionist, në mbrojtje të tokës sonë, dinjitetit tonë dhe zgjedhjeve tona të pavarura”, thuhet në reagim.
Deri më tani, Hezbollahu, i cili vepron si një forcë e armatosur kryesisht e pavarur brenda Libanit, nuk ka ndërmarrë veprime kundër Izraelit apo aseteve amerikane që kur filluan sulmet të shtunën.
Presidenti libanez Joseph Aoun tha të dielën se vendimi për luftë dhe paqe i takon vetëm shtetit libanez, pas një takimi urgjent të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes së vendit.
Të shtunën, kryeministri libanez Nawaf Salam tha se nuk do të pranonte askënd që e tërheq vendin në aventura që kërcënojnë sigurinë dhe unitetin e tij.
© SYRI.net