Të paktën 55 ganezë janë vrarë në luftën e Rusisë me Ukrainën pasi u “joshën për të hyrë në betejë”, kështu ka deklaruar ministri i jashtëm i Ganës pas një vizite në Kiev, ku zyrtarët ngritën çështjen e rekrutimit të afrikanëve nga Rusia.
Raportimet për burra afrikanë që tërhiqen nga premtimet për punë në Rusi dhe përfundojnë në vijën e frontit në Ukrainë janë shtuar muajt e fundit, duke krijuar tensione mes Moskës dhe disa vendeve afrikane. Autoritetet ruse kanë mohuar se po rekrutojnë ilegalisht qytetarë afrikanë për të luftuar në Ukrainë.
Ministri i jashtëm, Samuel Okudzeto Ablakwa, tha në një postim në X të enjten: “Na u informua se 272 ganezë besohet se janë joshur në betejë që nga viti 2022, prej të cilëve rreth 55 janë vrarë dhe 2 janë kapur si robër lufte.”
Në një konferencë për shtyp të martën, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, i cili qëndronte pranë Ablakwa-s, tha se mbi 1 mijë e 780 afrikanë nga 36 vende të ndryshme po luftojnë në ushtrinë ruse.
Gana, e cila ka lidhje ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, synon të rrisë ndërgjegjësimin për rekrutimin dhe të çmontojë “skemat e paligjshme të rekrutimit në dark web (rrjeti i zi)” që operojnë brenda vendit. “Kjo nuk është lufta jonë dhe nuk mund të lejojmë që të rinjtë tanë të bëhen mburoja njerëzore për të tjerët,” tha Ablakwa, citon The Guardian.
Ai shtoi se qeveria e Ganës do të intensifikojë fushatat e informimit publik dhe do të punojë për të “gjurmuar dhe çmontuar të gjitha skemat e paligjshme të rekrutimit në dark web” që operojnë në vend.
Dy ganezët e kapur si robër lufte kanë paralajmëruar të rinjtë të mos joshen nga stimuj financiarë për t’u bashkuar me konfliktin.
Qeveria e Afrikës së Jugut tha këtë javë se dy shtetas të saj janë vrarë në vijën e frontit. Ata ishin të ndarë nga një grup prej 17 afrikanësh të jugut që ishin mashtruar për të luftuar për Rusinë në Ukrainë dhe që kryesisht janë riatdhesuar.
Në Afrikën e Jugut, Duduzile Zuma-Sambudla, vajza e ish-presidentit Jacob Zuma, po hetohet nga policia për përfshirje të dyshuar në joshjen e më shumë se një duzine burrash afrikanë të jugut drejt Rusisë.
Sipas një raporti të inteligjencës së Kenias, mbi 1 mijë kenianë janë rekrutuar për të luftuar për Rusinë. Ministria e jashtme e Kenias ka thënë se 27 kenianë janë shpëtuar pasi mbetën të bllokuar në Rusi.
Ministri i jashtëm kenian, Musalia Mudavadi, ka deklaruar se planifikon të vizitojë Rusinë në mars për bisedime mbi këtë çështje.
© SYRI.net