Nga Alba Kepi - Syri.net
Giorgia Meloni ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme një seri kontaktesh të nivelit të lartë me liderë të rajonit të Lindjes së Mesme, në kuadër të përshkallëzimit të situatës në Iran dhe pasojave të saj në gjithë rajonin. Sipas një njoftimi zyrtar nga Palazzo Chigi, kryeministrja zhvilloi biseda telefonike me Mbretin e Jordanisë dhe Sulltanin e Omanit, duke shtuar kështu komunikimet e shumta të realizuara një ditë më parë me autoritetet e vendeve të Gjirit.
Në planin evropian, Meloni pati konsultime edhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe me Presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, në cilësinë e presidencës së radhës së Bashkimit Evropian. Më pas, Kryeministrja informoi në mënyrë të detajuar Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, mbi zhvillimet më të fundit dhe kontaktet diplomatike të ndërmarra.
Paralelisht, vijon koordinimi i vazhdueshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, lidhur me situatën e shtetasve italianë që jetojnë ose ndodhen përkohësisht në rajon. Autoritetet italiane kanë ripërsëritur thirrjen për kujdes maksimal dhe respektimin e udhëzimeve të Njësisë së Krizës pranë Farnesinës (selia e Ministrisë së Jashtme).
Ministri Tajani në Këshillin e Jashtëzakonshëm të BE-së deklaron; "Të mbrojmë bashkë qytetarët tanë”!
Ministri Tajani mori pjesë sot në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, të thirrur nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, për të diskutuar krizën në Iran dhe pasojat e saj rajonale.
Gjatë takimit u trajtuan tre çështje kryesore: mbështetja e përpjekjeve për de-përshkallëzim, siguria e shtetasve evropianë dhe menaxhimi i pasojave ekonomike të konfliktit.
Tajani theksoi se zhdukja e liderit iranian përbën një pikë kthese historike dhe tejet delikate për vendin, duke kërkuar që përpjekjet ndërkombëtare të fokusohen në një tranzicion paqësor dhe në stabilitetin e të gjithë Lindjes së Mesme. “Nuk duhet të harrojmë guximin e popullit dhe shoqërisë civile iraniane në betejën e tyre për liri dhe demokraci”, deklaroi ai.
Ministri kujtoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka dhënë një mesazh të fortë politik javët e fundit, duke vendosur sanksione ndaj Pasdaranëve si organizatë terroriste.
Në takim u diskutuan edhe pasojat e mundshme ekonomike të konfliktit, veçanërisht në rast të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin energjetik global.
Tajani bëri të ditur krijimin e një “Task Force Golfo”, e cila do të koordinojë kërkesat për asistencë të italianëve në rajon dhe kontaktet me partnerët lokalë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e operacioneve të Bashkimit Evropian, duke nisur nga misioni ASPIDES, (mision detar i Bashkimit Evropian i nisur në vitin 2024 për të mbrojtur anijet tregtare në Detin e Kuq dhe zonat përreth, pas rritjes së sulmeve ndaj trafikut detar) dhe paralajmëroi se një shtim i sulmeve ndaj anijeve tregtare nga ana e Houthi-ve (Ansar Allah) do të ndikonte negativisht në tregtinë globale dhe do të ngadalësonte procesin e normalizimit të nisur me armëpushimin në Rripin e Gazës.
Në një moment delikat për rajonin, Italia dhe Bashkimi Evropian synojnë të luajnë një rol aktiv në uljen e tensioneve, mbrojtjen e qytetarëve të tyre dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik ndërkombëtar.
© SYRI.net